Korporata e Investimeve Shqiptare ka njoftuar kompanitë që kanë kaluar në fazën e dytë të garës për rikonceptimin e rezidencave qeveritare në Vlorë dhe Velipojë në hotele luksoze me markë ndërkombëtare.
Për Vilën e Velipojës, të tria kompanitë e interesuara – “Soleil and Sea” shpk, bashkimi i subjekteve “2A Group shpk” etj., dhe “Xhenis shpk” – kanë kaluar me sukses fazën e parë.
Ndërsa për Vilën e Vlorës, nga pesë kompani të interesuara, katër kanë kaluar në fazën e dytë: “Blu Horizont 2005” shpk, “Soleil and Sea” shpk, bashkimi i subjekteve “2A Group shpk” etj., dhe bashkimi i subjekteve “Shoqëria Edil-Al-IT shpk & Zdrava shpk shpk”.
Në fazën e dytë, kompanitë duhet të paraqesin projekt-idenë arkitekturore dhe ofertën financiare. Qëllimi i projektit është transformimi i këtyre rezidencave të amortizuara në qendra bashkëkohore të turizmit elitar, duke ruajtur vlerat historike dhe duke synuar standarde të larta mikpritjeje, teknologji të avancuar dhe qëndrueshmëri ekonomike e mjedisore. Rezidencat do të ofrojnë shërbime hoteliere 5-yje për personalitetet e larta shtetërore, sipas marrëveshjes me Korporatën. Sipërfaqja totale e konkursit për Vlorën është 1644.7 m², ndërsa për Velipojën 8100 m² përfshirë truallin.