Një çështje e pazbardhur që tronditi Gjermaninë në vitin 1999 po merr një kthesë të re. Vrasja e dy shqiptarëve, Altan B. dhe Alban M., të ekzekutuar me gjakftohtësi më 7 qershor në Esen, po rihapet nga dy detektivë në pension, Detlef Buettner dhe Michael Detscher, në bashkëpunim me një gazetar të ZDF.
Krimi i dyfishtë, që në kohën e tij mbeti pa autor pavarësisht punës së një ekipi prej 20 hetuesish, dyshohet të ketë qenë një hakmarrje e orkestruar nga bosi i një bande shqiptare të drogës. Sipas të dhënave të reja, bosi, ndërsa ndodhej në burg, kishte mësuar për një lidhje intime mes një prej viktimave dhe gruas së tij. Për më tepër, dyshohet se dy shqiptarët kishin filluar ta zhvatnin atë. Kjo dyshohet të ketë qenë arsyeja që çoi në urdhrin e tij për eliminimin e tyre.
Altan B. dhe Alban M. ranë në pritë pa e kuptuar rrezikun që u kanosej. Ata u qëlluan nga afër nga dy persona, ndërsa një i tretë i priste në makinë për t’u larguar shpejt pas masakrës. Një detaj makabër ishte gjetja e njërit prej viktimave me çelësat e makinës ende në dorë.
Tani, pas 25 vitesh, dy detektivët dhe gazetari po apelojnë për ndihmën e publikut, duke vënë në dispozicion një numër kontakti për këdo që mund të ketë informacion në lidhje me ngjarjen. Ata besojnë se grupi kriminal i asaj kohe mund të mos ketë më ndikim në skenën e drogës në Esen, duke rritur shpresat se dëshmitarët e mundshëm mund të ndihen më të sigurt për të folur.
Në kohën e krimit, pesë shqiptarë u arrestuan, por u lanë të lirë më pas, pasi nga frika e hakmarrjes nuk pranuan të bashkëpunonin me hetuesit. Detektivët Buettner dhe Detscher shpresojnë se pas kaq shumë vitesh, rrethanat mund të kenë ndryshuar dhe dikush mund të thyejë heshtjen, duke hedhur dritë mbi këtë vrasje të dyfishtë të mbetur enigmë për dekada të tëra.