Bonusi i lindjes Lindshmëria Rënie e lindshmërisë Ministria e Financave INSTAT Tremujori i parë 2025 Tremujori i parë 2024 Plakje e popullsisë Tregu i punës Skema e pensioneve

Tiranë – Shqipëria po përballet me një rënie të ndjeshme të lindshmërisë, e cila reflektohet qartë në shifrat e disbursimit të bonusit të lindjes. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, vetëm 1 milionë euro janë shpërndarë për bebet e lindura gjatë tre muajve të parë të vitit 2025.

Kjo shifër paraqet një rënie drastike prej 4 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u shpërndanë 5 milionë euro. Rënia prej 80% është alarmante dhe tregon një tendencë shqetësuese të uljes së lindjeve.

E njëjta rënie konstatohet edhe në krahasim me planifikimin e bërë, i cili parashikonte disbursimin e 5 milionë eurove për tremujorin e parë të këtij viti.

Këto shifra korrespondojnë me të dhënat e INSTAT, sipas të cilave në tremujorin e parë të vitit 2025 u regjistruan vetëm 4662 lindje, duke shënuar shifrën më të ulët që nga viti 2011 për të njëjtën periudhë. Krahasimi me vitin 2011 tregon një ulje mesatare prej 37.2% në shkallë kombëtare, me disa qarqe që shënojnë rënie edhe më të thellë.

Kjo tendencë e uljes së lindshmërisë pritet të ketë ndikime negative në tregun e punës, skemën e pensioneve dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit, duke e çuar Shqipërinë drejt plakjes së popullsisë me ritme të shpejta.

Bonusi i lindjes është një ndihmë financiare e menjëhershme e vendosur nga viti 2019 për të nxitur lindshmërinë. Masa e ndihmës varion nga 40 mijë lekë për fëmijën e parë, në 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë e në vazhdim. Për binjakët akordohen 80 mijë lekë për secilin fëmijë, ndërsa për lindjet e trefishta e më shumë, shuma është 120 mijë lekë për secilin fëmijë. Bonusi përfitohet menjëherë pas regjistrimit të foshnjës në gjendjen civile, pa dallim statusi social-ekonomik, ndërsa fëmijët e lindur jashtë vendit nuk përfitojnë. Fondi total i parashikuar për këtë vit për bonusin e lindjes është 2.2 miliardë lekë. Rënia e disbursimit në tremujorin e parë sugjeron se shpenzimet totale për këtë vit mund të jenë ndjeshëm më të ulëta për shkak të numrit më të vogël të lindjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *