Vetëm një ditë pasi urdhëroi drejtorët e Bashkisë së Vlorës të jepnin dorëheqjen, Kryeministri Edi Rama ka dalë me një ultimatum edhe për qytetarët. Në një komunikim në Facebook, kreu i qeverisë urdhëroi heqjen e tendave që kanë zaptuar rrugët, duke lënë një afat dy javor. Në të kundërt, qytetarët do të përballen me gjoba dhe ndjekje penale.
Ultimatum lëshoi edhe për ata që kanë vendosur trarë për një vend parkimi, duke theksuar se nuk ka pronë private sa kohë ajo ka derivuar nga zhvillimi i ndërtesave përreth.
“Që nga trarët që vendosin për të marrë lekë për parkim, nuk ka pronë private sa kohë është një pronë që ka derivuar nga zhvillimi i ndërtesave rreth e rrotull. Nuk mund të vendosësh një tra me pretendimin që është toka jote duke lejuar banorët aty që të paguajnë për të qenë të zotët,” tha Rama.
Ai bëri thirrje që qytetarët t’i heqin vetë këto pengesa. “U bëj thirrje atyre që janë hapur me tenda dhe kanë vendosur mushama që të fillojnë t’i çmontojnë. Do të përballen me gjoba deri në ndjekje penale për krim mjedisor dhe për zaptim dhe shkatërrim të pronës,” paralajmëroi Rama.