Tiranë, Shqipëri – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër në rrjetin social X lidhur me zaptimin e trotuareve nga bizneset në zonën bregdetare të Lungomares, Vlorë. Ai bëri thirrje për çlirimin e menjëhershëm të hapësirave publike, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për të ngritur standardin e shërbimit në përputhje me imazhin e “Shqipërisë Turistike”.

“Trotuaret janë të njerëzve, jo barrikadave”

“Asnjë problem me karriget dhe shërbimin në një pjesë të trotuarit, si në Paris, Londër apo New York, por pa harruar që trotuari është i njerëzve dhe kurrsesi i barrikadave, si në Lungomare!” – shkruan Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se Lungomarja është një model modern i një qyteti bregdetar dhe duhet të shërbejë edhe si model për dizajnin e jashtëm të vijës së shërbimeve.

Thirrje për bashkëpunim dhe standarde të reja

Rama u bëri thirrje të drejtpërdrejtë pronarëve dhe menaxherëve të bizneseve: “Duhet të heqin vetë tërë barrikadat dhe të bashkëpunojnë me Bashkinë e Vlorës dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit për dizajnin e ri, për të cilin do t’i mbështesim me kënaqësi.”

Kryeministri theksoi se përveç ndërhyrjes në strukturat ekzistuese, synimi është të përmirësohet jo vetëm funksionaliteti, por edhe pamja estetike e vijës turistike, në përputhje me një standard të ri kombëtar për mikpritjen dhe shërbimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *