Vladimir Putin Armëpushim Ukrainë Propozim amerikan Konflikt Negociata Paqe Rusi SHBA Luftime Diplomaci Aleksandër Lukashenko Steve Witkoff

Presidenti rus Vladimir Putin ka refuzuar mundësinë e një takimi të shpejtë trepalësh me presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, pavarësisht propozimit të Turqisë për organizimin e një samiti të tillë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi të martën se “E vërteta është se diçka e tillë është e pamundur të ndodhë në një të ardhme të afërt”, sipas agjencisë ruse Interfax. Megjithatë, Peskov shtoi se Putin nuk e përjashton një takim të tillë në të ardhmen, por theksoi se “duhet të jetë mirë i përgatitur”.

Propozimi për takim erdhi nga Turqia, e cila mikpriti një raund tjetër bisedimesh mes Rusisë dhe Ukrainës të hënën në Stamboll. Shtëpia e Bardhë kishte bërë të ditur se Trump ishte “i hapur” ndaj kësaj ideje, pas dështimit për të arritur një marrëveshje armëpushimi.

Rusia ka paraqitur kushte të rënda për paqe, përfshirë dorëzimin e territoreve të pushtuara në katër rajone të Ukrainës, status neutral për Kievin dhe kufizimin e ndihmës ushtarake të huaj. Sipas Bloomberg, përpjekjet e Trump për ndërmjetësim nuk kanë dhënë rezultate, ndërsa Moska ka refuzuar një propozim amerikan për një armëpushim 30-ditor. Kjo situatë vjen pas një sulmi ajror ukrainas në territorin rus, që shkatërroi disa bombardues me rreze të gjatë. Raundi i mëparshëm i bisedimeve në mes të majit kishte rezultuar me një shkëmbim të të burgosurve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *