Tiranë – Mbështetësit e Partisë Demokratike u mblodhën në bulevardin “Zogu i Parë” për të protestuar kundër rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, duke pretenduar manipulim dhe tjetërsim të votave. Në protestë morën pjesë figura të njohura të PD-së, si Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmakaj, Klevis Balliu, Belind Këlliçi dhe Jorida Tabaku.
Flamur Noka, duke folur për mediat, akuzoi qeverinë për përdorimin e patronazhimit, administratës publike dhe bandave kriminale për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Ai gjithashtu pretendoi se votat e pensionistëve u blenë me 100 euro dhe se falja e gjobave dy ditë para zgjedhjeve ishte një formë tjetër e blerjes së votave.
“Patronazhimi, përdorimi i administratës dhe bandave kriminale ishin ato që ndikuan në tjetërsimin e votës së shqiptarëve. Kjo nuk mund të pranohet kurrën e kurrës. Faktori ndërkombëtar e vuri gishtin mbi plagë. 750 000 pensionistëve iu ble vota me 100 euro. Falja e 150 000 gjobave dy ditë para zgjedhjeve, blerje vote është,” deklaroi Noka.
Megjithatë, kur u pyet nëse Sali Berisha do të jepte dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve, Noka shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ai theksoi se Partia Demokratike do të zbatojë statutin e saj dhe se përgjegjësia do të mbahet nga të gjithë kur të ketë zgjedhje të lira në Shqipëri.
“Për të gjithë ju që merrni instruksione te Fuga, kam një përgjigje: Statuti është zbatuar dhe do të zbatohet nga Partia Demokratike me përpikmërinë më të madhe. Në momentin që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira, çdokush brenda nesh do të mbajë përgjegjësi,” u përgjigj Noka.
Reagimi i Nokës lë të kuptohet se çështja e dorëheqjes së Berishës nuk është në axhendën e menjëhershme të partisë, duke theksuar se prioriteti i tyre është të luftojnë për zgjedhje të lira dhe të drejta në të ardhmen.