Tel Aviv, Izrael – Pesë shtetas shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në Izrael pas përshkallëzimit të fundit të konfliktit Izrael-Iran, i cili nisi të premten. Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ka dhënë detaje mbi gjendjen e tyre, duke theksuar se ndonëse janë mirë fizikisht, po kalojnë orë tejet të vështira psikologjike.
Ambasadorja Kumbe konfirmoi për Klan News se ajo dhe stafi i ambasadës janë mirë, por përballen me një situatë sfiduese. “Po ne jemi të gjithë mirë. Sigurisht, kaluam dhe po kalojmë orë shumë të vështira, por jemi mirë,” tha ajo.
Nga pesë shqiptarët e bllokuar, tre prej tyre ndodhen në Izrael me vizë turistike, ndërsa dy të tjerë për qëllime të përkohshme. Ambasadorja sqaroi se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, por ata ndihen të frikësuar nga zhvillimet aktuale. “Qytetarët shqiptarë të ndodhur këtu përkohësisht, janë mirë. Janë të frikësuar, për hir të së vërtetës. Jemi në kontakte të vazhdueshme me ‘ta, që në momentin që nisi sulmi dhe u vetëdeklaruan e kërkuan asistencën tonë,” shtoi Kumbe.
Ajo theksoi vështirësitë e menaxhimit të një situate të tillë për ata që vijnë nga vende të qeta evropiane, duke e përshkruar si një realitet “komplet të panjohur e shumë të vështirë për t’u menaxhuar, si në aspektin emocional, ashtu dhe në aspektin praktik.” Ambasada po punon intensivisht për të mundësuar rikthimin e tyre në shtëpi.
Ndërkohë, Ambasadorja Kumbe bëri të ditur se edhe komuniteti i gjerë shqiptaro-izraelit është në gjendje të mirë. “Deri tani nuk kemi të raportuar, fatmirësisht, asnjë dëm material ose plagosje ndër ‘ta,” u shpreh ajo, duke sjellë një lajm pozitiv mes situatës së tensionuar.