Përplasjet brenda Partisë Demokratike po thellohen, me deklarata të forta që paralajmërojnë një përballje të ashpër. Genc Gjokutaj, avokati i Sali Berishës, ka paralajmëruar publikisht se “armiqtë e dikurshëm” të PD-së, të cilët sipas tij janë “të paguar nga Rama & Co”, po përgatiten të asgjësojnë Berishën dhe partinë. Ai theksoi se kjo “luftë do të jetë fizike dhe jo online si dje”, duke ngritur shqetësime për një përshkallëzim të konfliktit.
Nuk ka vonuar përgjigja nga deputeti Ervin Salianji (Açka), i cili i është kundërpërgjigjur Gjokutajt duke i thënë se “luftën e ka me Bardhin dhe shokët e tij”. Salianji theksoi se Partia Demokratike u mor falë Gazment Bardhit dhe grupit të tij, duke nënkuptuar se krahët e ndarë brenda partisë janë përgjegjës për situatën aktuale. Këto deklarata tregojnë një thellim të krizës dhe ndarjeve brenda PD-së, e cila vijon të jetë e fragmentuar pas zgjedhjeve të fundit.