PD Kukës Zgjedhje 2025 Ankimim KAS Manipulime zgjedhore Blerje votash Kodi Zgjedhor OSBE-ODIHR Varfëria Transparenca zgjedhore

Procesi i verifikimit të 97 kutive zgjedhore në qarkun Elbasan ka përfunduar. Gazetarja Klesiana Omeri raporton se të dhënat zyrtare do të bëhen publike ditën e hënë, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve.

Ky verifikim vjen pas nisjes së procesit të rinumërimit të votave për katër qarqe në ambientet e Pallatit të Sportit “Fahrie Hoti”. Fillimisht, u hapën 97 kuti të bashkive Gramsh dhe Peqin. Kjo hapje e kutive u krye vetëm për materialin zgjedhor dhe jo për efekt rezultati, me qëllim vërtetimin e fletëve të votimit, pasi Partia Demokratike pretendon për aplikimin e skemës së “trenit bullgar”.

Tani, pritet që nesër të nisë numërimi i votave për efekt rezultati në dy qarqet me numrin më të madh të mandateve në vend: Tiranë dhe Fier.

Në Tiranë, Partia Demokratike kërkon të rifitojë një mandat që iu mor me një diferencë të ngushtë nga Partia Mundësia e Agron Shehajt. Ndërkohë, në Partinë Socialiste ka disa kandidatë që shpresojnë për më shumë vota, duke qenë se rezultatet e tyre ishin shumë afër me ato të kolegëve në zgjedhjet e 11 majit. Si në Tiranë ashtu edhe në Fier, rinumërimi i votave do të jetë i plotë, si për subjektet politike ashtu edhe për kandidatët individualë.

Një tjetër qark i rëndësishëm në këtë proces është Durrësi. Atje, pretendimet janë kryesisht mes PD-së, ku Aulon Kalaja pohon se ka pasur manipulime dhe rrjedhje votash. Ai synon të fitojë deri në 1000 vota për të siguruar mandatin e deputetit. Në Durrës, do të rinumërohen votat e diasporës, 186 qendra votimi dhe kutitë e KZAZ-ve 21 e 22, pra jo të gjitha votat e qarkut.

Në këtë proces marrin pjesë 24 grupe rinumërimi, dhe sipas parashikimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ky proces mund të zgjasë deri në një muaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *