Pekin, Kinë – Kina ka reaguar me zemërim ndaj komenteve të nënpresidentit amerikan JD Vance, i cili, duke mbrojtur tarifat e Donald Trump-it, përdori termin “fshatarët kinezë” si burim të mallrave të konsumit për amerikanët.
Gjatë një interviste për Fox News, Vance argumentoi se ekonomia globaliste e ka bazuar prosperitetin amerikan në marrjen e borxheve për të blerë produkte të prodhuara nga vende të tjera, duke shtuar se SHBA po “marrin borxh nga fshatarët kinezë për të blerë gjërat që ata vetë i prodhojnë.”
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, e quajti deklaratën e Vance “befasuese dhe për të ardhur keq”, duke e cilësuar atë si shprehje “injorance dhe mungese respekti”. Ministria theksoi se presioni dhe kërcënimet nuk janë mënyra e duhur për të bashkëpunuar me Kinën.
Kjo përplasje verbale vjen në mes të tensioneve të rritura tregtare mes dy vendeve. Pekini ka paralajmëruar se do të “luftojë deri në fund” nëse Uashingtoni përshkallëzon luftën tregtare, pas kërcënimeve të Trump për të vendosur tarifa shtesë prej 50% ndaj mallrave kineze nëse Kina nuk tërhiqet nga tarifat reciproke. Trump ka vendosur një ultimatum deri nesër, 8 prill, për Kinën për të hequr dorë nga tarifat 34% ndaj mallrave amerikane, duke kërcënuar me tarifa shtesë prej 50% që nga 9 prilli. Këto janë vetëm disa nga tarifat e shumta që administrata Trump ka vendosur ndaj partnerëve tregtarë globalë.