Partia Demokratike ka firmosur një kontratë lobimi dyvjeçare me një kompani amerikane, në pronësi të personave afër ish-Presidentit Donald Trump, në vlerë prej 6 milionë dollarësh. Kontrata, e cila konsiderohet si më e madhja e këtij lloji në historinë e partisë, synon të ndikojë në politikat e qeverisë amerikane dhe të forcojë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
Dokumenti i plotë i kontratës, i siguruar nga Kapitali, është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, dhe Carlo Trujillo, ish-këshilltar i Presidentit Trump dhe President i kompanisë Continental Strategy.
Sipas kushteve të kontratës, kompania e lobimit do të ofrojë një sërë shërbimesh për Partinë Demokratike, duke përfshirë:
- Krijimin e marrëdhënieve me aktorët kyç në qeverinë dhe Kongresin amerikan për të lehtësuar zhvillimin e politikave.
- Mbështetje për promovimin e demokracisë, nismave kundër korrupsionit dhe reformave qeveritare në Shqipëri, në linjë me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.
- Përdorimin e ekspertizës së gjerë në marrëdhëniet me qeverinë, advokimin e politikave, çështjet ligjore dhe angazhimin e palëve të interesuara, në përputhje me objektivat e Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj, Aleanca për Shqipërinë e Madhe.
Kjo lëvizje e Partisë Demokratike shihet si një përpjekje për të ndërtuar ura komunikimi dhe për të siguruar mbështetje në Washington, veçanërisht duke pasur parasysh lidhjet e kompanisë së lobimit me rrethin e ish-Presidentit Trump. Detajet e “Aleancës për Shqipërinë e Madhe” të përmendur në kontratë mbeten për t’u sqaruar.