Një mega-operacion i përbashkët mes autoriteteve italiane dhe shqiptare, i koduar “Ura”, ka çuar në arrestimin e 52 personave, shqiptarë dhe italianë, të përfshirë në trafikun e drogës. Detaje tronditëse po dalin në dritë nga përgjimet e komunikimeve në aplikacionin e koduar SkyECC, duke zbuluar sesi funksiononte rrjeti i trafikantëve dhe fjalorët e tyre sekretë.
Operacioni kulminoi me kapjen e 275 kilogramëve drogë, e cila mbante stampën e personazhit vizatimor “Dragon Ball” – një shenjë dalluese që trafikantët e përdornin për të identifikuar ngarkesat. Ky detaj është zbuluar përmes analizimit të thelluar të të dhënave të administruara nga drejtësia franceze.
Përgjimet e SkyECC: Zbardhen bisedat me kode
Në zemër të hetimeve qëndron komunikimi i hapur mes anëtarëve të bandës, pavarësisht natyrës së ndjeshme të veprimtarisë së tyre. Ata përdornin kode specifike, siç ishte rasti i “Dragon Ball”, për të referuar llojin e drogës, shpesh të shoqëruara edhe me fotografi për të konfirmuar dërgesat.
Një shembull i përgjimit, që daton më 3 dhjetor 2020, tregon qartë këtë komunikim. Përdoruesi i SkyECC me emrin 5PNNS9, i identifikuar si Ekil Nderjaku, zhvillon një bisedë me përdoruesin tjetër HPUTP2 (ende i paidentifikuar). Nderjaku e informon bashkëpunëtorin e tij se disponon lëndë narkotike në Rimini të Italisë dhe, për të qenë më i qartë, i dërgon fotografi të drogës ku spikatej imazhi i Gokut, personazhi kryesor i “Dragon Ball”. Fraza si “Shok, mpate pyt iher për çokollat” (Shok, të pyeta njëherë për çokollatën) janë pjesë e fjalorit të koduar që përdornin për të diskutuar për drogën.