Bruksel, Belgjikë – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka shmangur komentet e drejtpërdrejta mbi marrëveshjen e fundit të mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Rutte theksoi se si udhëheqës i Aleancës, nuk do të komentojë marrëveshje të tilla, duke lënë të kuptohet se vendimet i takojnë çdo aleati individualisht.
Megjithatë, Rutte nënvizoi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbetet një shqetësim madhor për NATO-n, duke kujtuar praninë e Aleancës në Kosovë përmes forcave të KFOR-it. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes pesë aleatëve të NATO-s në rajon – Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia – si një faktor kyç për garantimin e stabilitetit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu përsëriti se autorët e sulmit në Banjskë dhe ata që sulmuan pjesëtarët e KFOR-it në veri të Kosovës në vitin 2023 duhet të përballen me drejtësinë, duke e konsideruar këtë si përgjegjësi të autoriteteve serbe.
Rutte theksoi se duhet të vijojnë përpjekjet për të ruajtur stabilitetin e situatës në Kosovë, duke shtuar se NATO e monitoron sistematikisht situatën e sigurisë që nga viti 1999 dhe ka vënë re një përmirësim të përgjithshëm. Ai bëri thirrje që kjo tendencë pozitive të vazhdojë. Rutte gjithashtu bëri të ditur se ka diskutuar këto çështje me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç nëpërmjet bisedave telefonike dhe gjatë një takimi në Bruksel.