Kandidati i Partisë Demokratike për deputet, Bledion Nallbati, ka reaguar pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ku ai dhe vëllai i tij, Alti Nallbati, u përfshinë në një konflikt me një shofer kamioni. Nallbati pretendon se pamjet e publikuara janë të pjesshme dhe nuk pasqyrojnë të gjithë ngjarjen.  

Në sqarimin e tij, Nallbati thekson se incidenti ndodhi gjatë udhëtimit nga Kapshtica drejt qytetit, kur mjeti i tij u detyrua të ngadalësonte për shkak të një grope në rrethrrotullim. Ai pretendon se kamioni pas tyre po lëvizte me shpejtësi dhe rrezikonte të shkaktonte një aksident. Pas ndalimit, vëllai i tij, i cili ishte shoferi, dhe më pas ai vetë, dolën nga makina. Nallbati thotë se u përpoq të shmangte konfliktin, por emocionet dhe sjellja e shoferit të kamionit, i cili i shau, e çuan në përplasje.  

“Jam njeri,” deklaroi Nallbati, duke shtuar se “emocioni prevalon ndonjëherë mbi arsyen.” Ai i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të marrë pamjet e plota filmike për të zbardhur të vërtetën. Ai dënoi çdo formë dhune verbale dhe fizike, duke theksuar se incidenti ndodhi pa dëshirën e tyre.

Nallbati akuzoi Policinë e Shtetit për trajtim të njëanshëm të ngjarjes, duke pretenduar se ata u ndikuan nga Ministri i Brendshëm, Niko Peleshi. Ai tha se, megjithëse vëllai i tij dhe shoferi i kamionit u shoqëruan në komisariat, policia fillimisht deklaroi se ishte një “konflikt i momentit” dhe “keqkuptim”. Më pas, ai pretendon se ngjarja u transferua në komisariatin e Korçës, ku u ngritën akuza të falsifikuara.

“Për çfarë komunikoi Peleshi me drejtorin e Policisë?” pyeti Nallbati, duke kërkuar sqarime për ndërhyrjen e ministrit. Ai gjithashtu pretendoi se drejtori i policisë ka pezulluar shefin e komisariatit dhe shefin e krimeve, duke kërkuar verifikimin e kësaj informacioni nga SPAK.

Nallbati theksoi se vepra penale ndodh kur largohesh nga vendi i ngjarjes, dhe se ata telefonuan policinë menjëherë pas incidentit. Ai mohon akuzat e ngritura ndaj tij dhe vëllait të tij, duke kërkuar një hetim të plotë dhe të paanshëm nga autoritetet kompetente.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *