Një incident i rëndë dhune ka tronditur fushatën zgjedhore në Dibër, ku kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, dhe nipi i tij akuzohen për sulmin ndaj një zyrtari të njësisë administrative Ostren. Zyrtari i dhunuar, Kalosh Murra, ka paraqitur kallëzim penal në organet kompetente, duke hedhur dritë mbi një përplasje të dhunshme pas një takimi elektoral të PD-së.
Ngjarja ka ngritur dyshime të forta mbi vërtetësinë e deklaratave të bëra nga Mziu dhe mbështetësi i tij, Sali Berisha, të cilët kanë ofruar versione të ndryshme të incidentit. Në emisionin “Tirana Live” në ABC News, analisti Arben Meçe ka kritikuar ashpër deklaratat e tyre, duke i cilësuar ato si “shterpë” dhe “kontradiktore”.
“Rasti i Mziut, kemi një zyrtar i cili ka bërë një kallëzim pranë Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër kemi dhe deklarata e Berishës të cilat janë tashmë të njohura për popullin shqiptar. Aq më tepër Berisha i jep këto deklarata nga Tirana si një prononcim. Ajo që ai vë kulmin gjësë është fakti që deklarata e Berishës që thotë se ishte provokim dhe e Mziut që thotë se nuk e godita unë, por nipi janë deklarata të kundërta me njëra-tjetrën. Qëndrimi i tyre nuk është unik, që do të do të thotë se janë të pavërteta,” deklaroi Meçe.
Sipas analistit, Berisha ka pretenduar se Mziu u provokua nga socialistët, ndërsa Mziu ka pohuar se nuk e ka goditur personalisht zyrtarin, por nipi i tij. Këto kontradikta, sipas Meçes, minojnë besueshmërinë e tyre.
Meçe ka vlerësuar pozitivisht reagimin e shpejtë të policisë dhe SPAK-ut në hetimin e çështjes, duke theksuar se kjo tregon seriozitetin e institucioneve. Megjithatë, ai ka shprehur shqetësimin se politika, veçanërisht PD-ja, po përpiqet të deformojë të vërtetën e ngjarjes.
“Ky fakt nuk ka pse të bëhet deklarativ, nëse këta nuk edukohen duhet të ballafaqohen në atë që ndodhi, t’i jepet një zgjidhje çështjes. Me sa pashë në mënyrën se si reagoi politika dhe PD, sepse PS nuk pati reagim, këto raste ekzistojnë, do të riprodhohen dhe do të prodhohen në mënyrë fiktive. Berisha do të prodhojë ngjarje nga më të çuditshmet,” paralajmëroi Meçe.
Incidenti ka nxitur debate të ashpra në opinionin publik, duke ngritur pikëpyetje mbi sjelljen e kandidatëve gjatë fushatës zgjedhore dhe mbi ndikimin e politikës në hetimin e ngjarjeve të dhunshme. Hetimi nga organet kompetente pritet të zbardhë të vërtetën e plotë të incidentit dhe të sjellë drejtësi për zyrtarin e dhunuar.