Tragjedi në Koçan: Zjarri shkatërrues në diskotekë merr mbi 50 jetë, familjet në ankth
Një zjarr shkatërrues që shpërtheu në diskotekën “Pulse” në Koçan, Maqedoninë e Veriut, ka shkaktuar një tragjedi të madhe, duke marrë jetën e të paktën 51 personave, kryesisht të rinj. Ngjarja e rëndë ka tronditur thellësisht komunitetin lokal dhe mbarë vendin.
Sipas informacioneve të para, zjarri shpërtheu në orët e vona të natës, duke shkaktuar panik dhe kaos mes të rinjve që ndodheshin në diskotekë. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke bllokuar shumë prej tyre brenda lokalit.
Familjet e viktimave dhe të të rinjve që ndodheshin në diskotekë janë në ankth të madh. Në një përpjekje të dëshpëruar për të marrë informacione për të dashurit e tyre, ata po përdorin gjerësisht rrjetet sociale. Po shpërndajnë foto të fëmijëve dhe numra telefoni, duke shpresuar që dikush t’i ketë parë ose të ketë informacion për vendndodhjen e tyre.
“Po shpërndaj foton e djalit tim, shpresoj që dikush ta ketë parë. Jemi të dëshpëruar, nuk dimë asgjë,” shprehet një prind i shqetësuar në rrjetet sociale.
Autoritetet lokale dhe ekipet e shpëtimit kanë qenë në vendngjarje gjatë gjithë natës, duke u përpjekur të kontrollojnë flakët dhe të ndihmojnë të plagosurit. Numri i viktimave pritet të rritet, pasi shumë prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë.
Prokuroria Publike e RMV-së, ka thënë se të gjitha shërbimet kompetente, përfshirë edhe prokurorin publik nga Prokuroria Themelore Publike Koçan janë në terren. Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për të identifikuar përgjegjësit.
Kjo tragjedi thekson nevojën urgjente për të rritur masat e sigurisë në lokale publike dhe për të siguruar që ato të jenë të pajisura me sisteme të duhura kundër zjarrit dhe rrugëdalje emergjente.