Ottawa, Kanada – Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, dikur shembull i partneritetit të ngushtë dhe të qëndrueshëm, duket se kanë arritur në një pikë kthese dramatike. Kryeministri kanadez, Mark Carney, në një deklaratë të fortë për mediat pas një takimi me ekzekutivin, ka shprehur hapur se marrëdhënia e deritanishme mes dy vendeve, e karakterizuar nga integrimi ekonomik dhe ushtarak, ka marrë fund.
Deklarata e kryeministrit Carney vjen si pasojë e një sërë deklarimesh nga presidenti amerikan Donald Trump, të cilat duket se kanë minuar besimin tradicional që ekzistonte mes dy aleatëve të ngushtë. Sipas Carney, nuk ka pasur asnjë arsye të besueshme apo të parashikueshme për një krizë të këtij niveli, por retorika e presidentit amerikan ka mjaftuar për të detyruar Kanadanë të rishikojë në mënyrë rrënjësore marrëdhëniet me fqinjin e saj jugor.
“Është e qartë se SHBA nuk janë më një partner i besueshëm. Është e mundshme që me negociata përfshirëse ne mund të rivendosim një element besimi, por nuk ka për të patur kthim pas,” – deklaroi qartë kryeministri kanadez. Ai shtoi se Kanadaja po orientohet drejt partnerëve të tjerë të besueshëm ndërkombëtarë për të siguruar interesat e saj.
“Ka ende për të bërë dhe kjo është arsyeja pse kam zgjedhur të shkoj në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, dy partnerë të besueshëm për një kohë të gjatë, miq dhe aleatë të Kanadasë,” – njoftoi Carney, duke sinjalizuar një zhvendosje të mundshme të fokusit të politikës së jashtme kanadeze.
Kjo deklaratë e fortë e kryeministrit kanadez përbën goditjen e parë serioze në imazhin e Shteteve të Bashkuara pas ardhjes në detyrë të Donald Trump. Kanadaja, një aleate historike që rrallëherë ka shfaqur mosmarrëveshje të thella me SHBA dhe nuk ka qenë kundër politikave të saj, tani shpreh publikisht mungesën e besimit.
Implikimet e këtij ndryshimi në marrëdhënie mund të jenë të gjera, duke prekur jo vetëm aspektet ekonomike dhe ushtarake të bashkëpunimit dypalësh, por edhe çështje të rëndësishme si politika në Arktik. Është e vështirë të imagjinohet zbatimi i politikës amerikane në Arktik pa njohur interesat e Kanadasë, çka nënkupton se në kushtet e mungesës së besimit, politika amerikane në këtë rajon strategjik mund të jetë e paqartë dhe e vështirë për t’u realizuar.
Deklarata e kryeministrit Carney sinjalizon një epokë të re në marrëdhëniet mes SHBA dhe Kanadasë, ku besimi i dikurshëm duket se është zëvendësuar nga një qëndrim më i rezervuar dhe nga kërkimi i aleancave të reja nga ana e Kanadasë. Efekti i politikave dhe deklaratave të Donald Trump vazhdon të shkaktojë ndryshime të thella në marrëdhëniet ndërkombëtare.