Juristi Kreshnik Spahiu ka komentuar rezultatin e votës së emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke e cilësuar atë si një “shuplakë patriotike” kundër aleancës mes Sali Berishës dhe Fredi Belerit. Spahiu hodhi poshtë pretendimet e opozitës se qeveria ndikoi masivisht apo bleu 200 mijë vota të diasporës.
Në një prononcim për ‘Frontline’, Spahiu u shpreh se nuk beson se falja e gjobave të trafikut ishte arsyeja e votimit masiv për PS-në. Ai sfidoi Prokurorinë, duke thënë se, ashtu siç hetoi kontratën e lobimit të PD-së, duhet të hetonte edhe vendimin e qeverisë për faljen e gjobave. Spahiu shtoi se PD kishte mjete të mjaftueshme për të gjetur prova dhe denoncuar, duke pasur përfaqësim në të gjitha komisionet, përfshirë ato në Greqi.
Mbi votat nga Greqia, Spahiu solli një argument tjetër: “Si shpjegohet që qeveria greke të favorizojë atë që ka burgosur Fredi Belerin?!” Ai theksoi se është e pamundur që 200 mijë emigrantë të blihen nga qeveria, dhe se mungojnë provat për një gjë të tillë.
Spahiu kritikoi gjithashtu Kodin Zgjedhor që lejoi dërgimin e 6 votave në një adresë, duke nxitur votimin familjar dhe duke shkelur kodin. Përfundimisht, ai theksoi se vota e diasporës ishte një votë kundër aleancës Beleri-Berisha.