Tragjedia e ndodhur në lokalin e natës “Pulse” në Koçan, Maqedoninë e Veriut, ku humbën jetën 59 persona, ka shkaktuar një revoltë të gjerë në mesin e qytetarëve. Të revoltuar dhe të zemëruar, ata kanë shkatërruar një kafene të pronarit të klubit dhe kanë sulmuar kompaninë e tij të logjistikës, duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi.
Demonstruesit e zemëruar janë mbledhur edhe para bashkisë, duke kërkuar sqarime dhe pasoja. Nën tronditjen e fatkeqësisë dhe presionin e qytetarëve, kryetari i bashkisë, Ljupço Papazov, dha dorëheqjen.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se shkaqet e zjarrit janë komplekse dhe lidhen me dekada korrupsioni dhe mosrespektimi të ligjeve dhe rregulloreve. Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Shkupit, Goran Markovski, ka deklaruar se diskoteka nuk kishte as sistem automatik të fikjes së zjarrit, as ndërprerje automatike të rrymës elektrike apo dalje emergjente. Ai ka akuzuar pronarin e diskotekës për kursim të kostove për masat e sigurisë, duke shtuar se 70-80% e objekteve të tilla në Maqedoninë e Veriut nuk janë në përputhje me rregulloret.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toskovski, ka konfirmuar se klubi i natës nuk kishte licencë të vlefshme pune, dhe se struktura e çatisë ishte prej druri dhe azbesti, me një përzierje sfungjeri dhe pëlhure poshtë saj, gjë që shkaktoi përhapjen e shpejtë të zjarrit.
Në opinionin publik, zemërimi po vlon për mosrespektimin e rregulloreve ligjore, rritjen e korrupsionit dhe sistemin e dominuar nga dy partitë kryesore. Prokurori Ljupço Kocevski ka deklaruar se në Maqedoninë e Veriut sundon një “erozion i plotë i sistemit”.
Ekspertët bëjnë thirrje për ndryshime të thella në sistem dhe në kulturën politike. Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se të gjithë përgjegjësit do të dalin para drejtësisë, duke e quajtur ngjarjen një “vrasje masive”.
Aktualisht, 23 persona dyshohen se kanë lidhje me tragjedinë, përfshirë një ish-ministër, një sekretar shteti dhe drejtues të autoriteteve të ndryshme, të cilët dyshohet se kanë lëshuar licenca dhe leje për diskotekën. Qytetarët kërkojnë një hetim të shpejtë dhe efikas dhe ndëshkim të autorëve, duke paralajmëruar se pa ndryshime, fatkeqësi të tilla do të përsëriten.