Bota katolike ka një udhëheqës të ri! Kardinali amerikan Robert Prevost është zgjedhur sot Papa i 267-të në historinë e Kishës Katolike Romane, duke u bërë i pari me origjinë nga Amerika e Veriut që mban këtë post të lartë. Ashtu si paraardhësi i tij i njohur për dashurinë ndaj futbollit, Papa Françesku, edhe Papa Leon XIV, siç do të njihet tashmë, raportohet se ka një pasion të fortë për sportin.
Megjithatë, ndryshe nga tradita e lidhjes papnore me futbollin, mediat italiane zbulojnë se 69-vjeçari Prevost është një entuziast i madh i tenisit. Burime pranë Atit të Shenjtë tregojnë se ai ka qenë një tenist amator në rininë e tij dhe nuk i është ndarë këtij sporti, duke e praktikuar rregullisht deri vonë.
Në Itali raportohet se Prevost, pas ngjitjes në gradën e kardinalit, ka shprehur publikisht keqardhjen që angazhimet e tij të reja e kishin kufizuar në praktikimin e sportit të tij të dashur.
“E cilësoj veten amator, por që kur jam larguar nga Peruja, kisha pak raste që të stërvitesha. Ndaj pres me padurim të kthehem në fushë,” kishte deklaruar Papa Leon XIV në një intervistë të pak kohëve më parë, duke treguar pasionin e tij të vazhdueshëm për tenisin.
Zgjedhja e një Pape me një sfond sportiv të ndryshëm mund të sjellë një frymë të re në Vatikan dhe mund të krijojë lidhje të reja me komunitetin sportiv global. Mbetet për t’u parë nëse Papa Leon XIV do të gjejë kohë për të rifilluar aktivitetin e tij në fushën e tenisit dhe në çfarë mënyre do të ndikojë pasioni i tij sportiv në pontifikatin e tij.