Tiranë – Erald Kapri, kandidati i Partisë Mundësia në Tiranë, ka ngritur dyshime të forta mbi procesin e votimit të diasporës, duke e cilësuar atë si rezultat i një marrëveshjeje politike mes Partisë Socialiste (PS) dhe Partisë Demokratike (PD). Ai ka kritikuar gjithashtu procesin, duke argumentuar se ai cënon fshehtësinë e votës.

Në një intervistë në emisionin “Log” në News 24, Kapri deklaroi se miratimi i votës së diasporës në Kuvend u realizua përmes një marrëveshjeje të madhe politike, ku PS-ja imponoi modelin e votimit, ndërsa PD-ja mbylli listat e kandidatëve.

“Kur u votua në Kuvend u votua me një marrëveshje të madhe politike, pra marrëveshja ishte që PS ta bënte votën e diasporës në këtë model dhe PD mbylli listat. U arrit kjo marrëveshje politike dhe u miratua vota e diasporës dhe këtu lindi dyshimi. Ky ishte projekti që donte Edi Rama. Kjo shtrirje masive e një lloj kapje të votës me këtë pushtet që ka Rama sigurisht që kishte dyshime,” tha Kapri.

Përveç dyshimeve për marrëveshje politike, Kapri theksoi se procesi i votimit të diasporës cënon fshehtësinë e votës. Ai tregoi një rast personal, ku kushërinjtë e tij nga jashtë i dërgonin foto të votave të tyre, duke e bërë këtë një trend të përhapur.

“U bë trend, kam kushërinj dhe unë jashtë dhe ma çonin dhe mua në privat, që të votuam. U bë skandal, dhe kjo ka ndodhur me të gjithë sepse ky është një proces që e cënonte fshehtësinë e votës,” shtoi Kapri.

Deklaratat e Kaprit kanë ngritur pikëpyetje mbi integritetin e procesit të votimit të diasporës dhe kanë shtuar debatin mbi transparencën dhe fshehtësinë e votës në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *