Ish-ministri Ilir Beqaj ka kërkuar pushimin e menjëhershëm të çështjes penale ndaj tij dhe shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit të gjyqtares paraprake, Enkeleda Davidhi. Në seancën gjyqësore, Beqaj theksoi se procesi është i padrejtë dhe pa bazë në prova konkrete, veçanërisht për mungesën e shifrave financiare në akuzën për dëm ekonomik.
Beqaj argumentoi se kjo çështje është “gjë e gjykuar”, pasi ishte mbyllur nga prokurori Endrit Bimi në vitin 2016, duke shtuar se procedimi nuk duhej të kishte nisur fare. Ai gjithashtu kundërshtoi emërtimin e dosjes “Ilir Beqaj dhe të tjerët”, duke e cilësuar tendencioz.
Ish-ministri vuri në pikëpyetje edhe arsyetimin e gjyqtares Davidhi, e cila, sipas tij, e kishte quajtur “kokën e krimit” për shkak të profesionit të tij si informatician. Në fund, Beqaj kërkoi nga trupi gjykues të shqyrtojë menjëherë ligjshmërinë e procesit dhe të deklarojë të pavlefshëm vendimin e gjykatës paraprake.
Ilir Beqaj është i pandehur në dosjen e koncesionit të sterilizimit, ku akuzohet për “shpërdorim detyre” i kryer në bashkëpunim. Hetimi i SPAK-ut ka fokusuar shërbimet e integruara kirurgjikale, furnizimin me materiale mjekësore dhe trajtimin e mbetjeve biologjike, gjatë kohës që Beqaj drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë. Për këtë çështje janë të pandehur edhe 8 persona të tjerë, përfshirë ish-zv.ministrin Klodian Rrjepaj dhe përfituesin e koncesionit, Ilir Rrapaj. Sources