Tensionet brenda Partisë Demokratike vijojnë pas rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit. Ish-kreu i PD në Kashar, Arsen Valisi, ka reaguar ashpër nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, duke i kërkuar drejtuesit lokal të PD, Belind Këlliçit, të japë dorëheqjen.

Valisi, i cili u la jashtë listës së hapur të Tiranës pavarësisht se mori 439 vota në primaret e zhvilluara brenda partisë, e ka akuzuar Këlliçin për vendimmarrje të njëanshme dhe për humbjet e njëpasnjëshme të PD në Tiranë.

Në reagimin e tij, Vali i drejtohet Këlliçit me tone të ashpra, duke i kërkuar të mbajë përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve, ashtu siç, sipas tij, vendosi veton për listën e kandidatëve në Tiranë.

“I bëj thirrje drejtuesit të famshëm politik të Tiranës, jep dorëheqjen nga mandati i deputetit, dhe mbaj përgjegjësi për rezultatin ashtu siç vendose veton për listën e Tiranës, përgjegjësia është e jotja dhe vetëm e jotja për humbjet e njëpasnjëshme në Tiranë! Dhe të lutem mos na hap barkun duke thënë na vodhën, jep dorëheqjen bëhu burrë e mbaj përgjegjësi, Demokratët nuk ta kan borxh!”, shkruan Valisi.

Kërkesa e Valisit për largimin e Këlliçit tregon përçarje të mëtejshme brenda radhëve të Partisë Demokratike pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhje. Akuzat për vendimmarrje të njëanshme dhe mungesë përgjegjësie mund të thellojnë krizën brenda partisë dhe të ndikojnë në stabilitetin e saj në të ardhmen. Mbetet për t’u parë nëse Këlliçi do të reagojë ndaj kësaj kërkese dhe nëse kjo do të çojë në zhvillime të reja brenda PD.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *