I dërguari i Trump takon Putinin në Shën Petersburg, diskutohet zgjidhja e Ukrainës

I dërguari i Presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, u takua sot në Shën Petersburg me Presidentin rus Vladimir Putin. Pamjet e publikuara nga presidenca ruse tregojnë dy burrat duke shtrënguar duart përpara se të hynin në një takim me dyer të mbyllura.

Sipas Kremlinit, Putin dhe Witkoff pritet të diskutojnë mbi “zgjidhjen” e konfliktit në Ukrainë. Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, theksoi se nuk priten zhvillime të rëndësishme diplomatike nga ky takim. “Putini do ta dëgjojë atë. Diskutimi do të vazhdojë për aspekte të ndryshme të zgjidhjes së Ukrainës,” u shpreh Peskov për agjencinë e lajmeve Ria Novosti.

Peskov shtoi gjithashtu se të dy liderët mund të diskutojnë edhe mundësinë e një takimi të ardhshëm mes Putinit dhe vetë Donald Trump.

Pak orë përpara takimit, Presidenti Trump postoi një mesazh në platformën e tij Truth Social, duke i bërë thirrje Rusisë të ndërmarrë një lëvizje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. “Rusia duhet të bëjë një lëvizje. Shumë njerëz po vdesin, mijëra në javë, në një luftë të tmerrshme dhe të pakuptimtë – një luftë që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë dhe nuk do të ndodhte, nëse unë do të isha President!!!” shkroi Trump.

Steve Witkoff u takua gjithashtu më herët sot në Shën Petersburg me Kirill Dmitriev, të dërguarin special të Putinit për investime dhe bashkëpunim ekonomik.

Vizita e Witkoff vjen në një kohë të afrimit të vazhdueshëm mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ky takim shënon një tjetër hap në komunikimin mes dy vendeve lidhur me krizën ukrainase.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *