Gazetari Elvi Fundo, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, ka hedhur akuza të forta lidhur me hakerimin e e-maileve të prokurorëve të SPAK-ut. Sipas Fundos, personat e përfshirë, Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni, nuk janë hakerë të thjeshtë, por zyrtarë të Partisë Socialiste me lidhje të ngushta me figura të njohura të politikës.

Fundo theksoi se Rrokaj ka qenë punonjës i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik (IMT) në kohën kur drejtohej nga Agim Ismaili, ndërsa Zambak Gjoni është drejtor i paraburgimit të Vlorës. Gazetari shkoi më tej duke sugjeruar se “truri” i gjithë kësaj çështjeje është ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

“Një nga personat që është përfshirë më tha që materialet janë marrë dy javë më parë. Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni të dy zyrtarë të PS-së, nuk janë hacker-ë,” deklaroi Fundo, duke shtuar se Dritan Palnikaj, sekretar i Përgjithshëm kur Xhafaj ishte ministër, është nipi i Agim Ismailit. Ai ftoi të shihet se cilat media kanë reaguar në mbrojtje të Zambak Gjonit.

Fundo pretendoi se rrjedhja e materialeve nga SPAK ka ndodhur në ditën e gjyqit dhe se ai vetë ka marrë materiale në telefon. Sipas tij, këto materiale synonin të devijonin vëmendjen nga çështja dhe vendimi ndaj Erion Veliajt. Ai zbuloi një detaj interesant nga seanca gjyqësore të Veliajt, ku prokurorët i kishin vënë në tavolinë përgjime ku përmendeshin emrat e Carlo Bollinos dhe Mero Bazes. Fundo tha se Veliaj kishte reaguar duke thënë se i ka miq dhe se “më mirë ata se sa t’i shes përgjimet te Elvi Fundo”.

Më tej, Fundo sfidoi publikisht Mero Bazen dhe Carlo Bollinon të dorëzojnë telefonat e tyre në SPAK së bashku me të tijin. Ai e kritikoi Bazën për moralizimin e tij të fundit, duke e krahasuar me Koço Kokëdhimën dhe duke e akuzuar se po përdoret si pjesë e një “grupi të strukturuar kriminal në media”.CNA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *