CENTOLA, ITALI – Shtëpia e Aurelio Valiante, italianit që disa ditë më parë vrau me armë zjarrin 25-vjeçarin shqiptar Rivaldo Rusi gjatë një tentative grabitjeje, është sulmuar nga një grup i dyshuar shqiptarësh. Ngjarja, e ndodhur në Foria të Centola-s, ka ndezur alarmin për një akt hakmarrjeje të paralajmëruar edhe në rrjetet sociale.
Sipas mediave italiane, sulmuesit pritën errësirën, u afruan në banesën e Valiantes dhe thyen një ballkon, jo për të vjedhur, por me qëllim për të parë brenda dhe për të kuptuar nëse Aurelio Valiante ishte ende aty. Më pas, ata u larguan në heshtje, duke lënë pas vetëm shenja dëmtimi si provë të pranisë së tyre.
Sulmi ndodhi natën pas zhvendosjes së Aurelio Valiantes dhe familjes së tij në një vend të mbrojtur nga policia, për shkak të kërcënimeve të mundshme nga shqiptarët.
Pistat e Hetimit dhe Kërcënimet Online
Hetuesit nuk përjashtojnë asnjë pistë, por ky gjest lidhet fuqishëm me atmosferën e urrejtjes dhe thirrjet për hakmarrje të shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale. Për ditë me radhë, dhjetëra përdorues shqiptarë kanë postuar mesazhe në TikTok, si “Gjakun e lajmë me gjak”, duke iu referuar vrasjes së Rivaldo Rusit teksa tentonte të vidhte. Autoritetet druhen se hakmarrja e paralajmëruar online mund të mos mbetet vetëm virtuale.
Tre Të Dyshuar dhe Autopsia në Pritje
Ndërkohë, Prokuroria e Vallo della Lucania-s po vazhdon hetimet dhe ka identifikuar tashmë tre të dyshuar:
- Aurelio Valiante, 58 vjeç, akuzohet për vrasje me armë.
- M. Valiante, 50 vjeç, vëllai i Aurelios, dyshohet se e ka ndihmuar në fshehjen e trupit të Rusit në një kazan vere, të maskuar me bimësi.
- Xhuijan Kurti, 27 vjeç, shqiptar me banim në Acerra, një nga bashkëpunëtorët e Rusit në grabitje, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin “Cardarelli” të Napolit.
Personi i tretë i përfshirë në grabitje është ende në kërkim.
Autopsia mbi trupin e Rivaldo Rusit është ende në pritje dhe do të kryhet në morgun e spitalit “San Luca” të Vallo della Lucania-s. Kjo ekspertizë do të jetë thelbësore për zbardhjen e ngjarjes, veçanërisht për të përcaktuar nëse Rusi është qëlluar përballë apo nga pas, një element kyç që mund të ndikojë në vlerësimin ligjor të vetëmbrojtjes së Valiantes. Në autopsi do të jetë i pranishëm edhe një mjek-konsulent i familjarëve të viktimës, të përfaqësuar nga avokati Fabio Della Corte.