Durrës – Një zë i ri kundërshtie është ngritur brenda Partisë Demokratike (PD), duke shënuar atë që disa e quajnë fillimin e një “rebelimi” pas humbjes në zgjedhjet e fundit. Artion Bajramaj, ish-kryetar i Forumit Rinor të PD-së në Durrës, i ka bërë sot thirrje publike Sekretarit të Përgjithshëm të partisë, Flamur Noka, që të japë dorëheqjen nga detyra.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Bajramaj thekson se ka ardhur koha për të marrë vendime në interesin më të mirë të partisë, përtej pëlqimeve personale. Ai rendit një sërë problematikash të krijuara në PD gjatë kohës që Noka ka mbajtur funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm.

“Z.Noka, ka ardhur koha që ju të dorëhiqeni! Përtej historikut për çdo kontributor në PD dhe përtej respektit personal, ka ardhur koha që të mendojmë e marrim vendime në interes të forcës politike,” shkruan Bajramaj. Ai argumenton se situata është emergjente për shkak të “një tjetër rënieje të PD pas këtyre zgjedhjeve”, duke kërkuar që partia të dalë “përtej pëlqimeve personale.”

Bajramaj vlerëson performancën e Nokës në “kauzën kundër heqjes së lirisë së kryetarit të partisë” (referuar Sali Berishës), por thekson se “vetëm ky ishte limiti i arritjeve.” Sipas tij, Noka nuk arriti të performojë në:

  • Ndërmarrjen e nismave politike në interes të vendit dhe popullit opozitar, veçanërisht lidhur me Kodin Zgjedhor dhe koalicionet parazgjedhore, duke shkaktuar “kosto në mandate”.
  • Zgjedhjet Lokale 2023, duke shkaktuar “kosto të konsiderueshme” dhe “mijëra vota dëme” për shkak të mosrespektimit të premtimeve dhe vendosjes me emërime.
  • Pakujdesinë me kontratën e lobimit Amerikan, duke i dhënë “regjimit në fuqi pak ditë para zgjedhjeve një kauzë për të sulmuar opozitën.”
  • Mungesën e rezultatit zgjedhor në zonat ku punoi drejtpërdrejt.
  • Të qenit “ndër kontributorët kryesorë të mbylljes së vazhdueshme të PD.”

Në fund të mesazhit të tij, Bajramaj thekson se ndërsa “kryetarit Berisha i kërkohet të vazhdojë betejën kundër vjedhjes së vazhdueshme të zgjedhjeve nga Edi Rama, sekretari i përgjithshëm e ka mbaruar detyrën e tij dhe për rrjedhojë ka ardhur koha t’ia lërë këtë detyrë të rëndësishme dikujt tjetër që mund ta bëjë më mirë.” Kjo kërkesë shënon një sfidë të hapur ndaj udhëheqjes aktuale të partisë dhe tregon përçarjet e thella brenda PD-së pas procesit zgjedhor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *