Ermal Dredha, emri i të cilit u përfshi në një debat me Ramën gjatë festës së 34-vjetorit të PS-së, i është shprehur televizionit News 24 se ka kërkuar personalisht shkarkimin e drejtorëve. Ai theksoi se këtë kërkesë e kishte bërë dy herë më parë, në janar dhe mars, për të rritur motivimin dhe përgjegjshmërinë e stafit.
“Unë e kam kërkuar edhe më parë, edhe në janar, edhe në mars sepse këtë e kam edhe për motivimin e drejtorëve të ma përkthejnë në punë për komunitetin. Nuk është se ka patur hezitim nga ana e kryetarit të Bashkisë, por duhet të gjejmë edhe njerëz më të motivuar dhe të përgjegjshëm që ta bëjnë atë punë me pasion. Të gjithë kanë reaguar pozitivisht do të shikojmë dhe do bëjmë një skanim të plotë dhe më pas do të marrim një vendim final”, deklaroi Dredha.
Dorëheqjet pas ultimatumit të Ramës
Dy ditë më parë, Kryeministri Rama zhvilloi një takim me dyer të mbyllura në Vlorë, duke shprehur pakënaqësinë e tij me performancën e bashkisë. Si pasojë e ultimatumit të tij, drejtorët dhanë dorëheqjen një ditë pas vizitës së kreut të socialistëve. Kjo lëvizje vjen në një kohë kur Partia Socialiste po rishikon strukturat e saj drejtuese në disa zona, në kuadër të përgatitjeve për sfidat e ardhshme politike.