Vlora është bërë së fundmi qendra e vëmendjes për shkak të vizitës së Ivanka Trump dhe Jared Kushner, e cila vjen në kontekstin e bisedimeve për investime serioze të çiftit amerikan në ishullin e Sazanit. Për kryebashkiakun e Vlorës, Ermal Dredha, ky zhvillim është një lajm i shkëlqyer dhe një promovim i jashtëzakonshëm për rivierën shqiptare si destinacion turistik.

Dredha theksoi se propozimi i çiftit Kushner do të rikthejë në jetë ishullin e Sazanit, një zonë që ka qenë historikisht ushtarake dhe tashmë përdoret shumë pak. Sipas tij, ky investim ka potencialin tërheqë turizmin elitar drejt Shqipërisë.

“Ivanka Trump dhe Jared Kushner nuk është hera e parë që vizitojnë Shqipërinë, kanë qenë edhe më parë. Kjo është një vizitë që na bën mirë, promovon Vlorën si destinacion turistik,” tha kryebashkiaku për A2. Ai shtoi se propozimi ka ardhur prej rreth një viti dhe është aktualisht në fazë negocimi. “Nuk kanë dalë detajet, por të gjithë do të ndjehemi mirë sepse Vlora ofron turizëm dhe ku ta gjejmë të kemi investim të këtij niveli që të shkojmë drejt turizmit elitar.”

Kryebashkiaku Dredha shprehu entuziazmin për shndërrimin e Sazanit. “Rikthehet në jetë ishulli i Sazanit i cili ka qenë vetëm në posedim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një zonë ushtarake, që tashmë përdoret shumë pak. Po ku ta gjejmë ne të marrë një formë të kësaj natyre që na bën krenarë të gjithëve,” u shpreh ai.

Pavarësisht madhësisë së mundshme të këtij projekti, Dredha është i bindur se investimi në Sazan nuk do ta eklipsojë Vlorën, por përkundrazi do të shërbejë si një nxitje e madhe për zhvillimin e gjithë rajonit. Ai theksoi se një investim i tillë do të ndihmojë edhe prodhuesit vendorë e lokalë, si dhe do të rrisë vëmendjen ndaj qytetit të Vlorës.

“Absolutisht jo (nuk do ta eklipsonte Vlorën). Qeveria, kryeministri Rama dhe bashkia, ku ta gjejmë ta kemi një investim të tillë,” tha Dredha. “Të gjithë investimet si tuneli dhe aeroporti, të gjithë këta komponentët që po zhvillohen shkojnë në funksion të këtyre investimeve. Ndihmon edhe prodhuesit vendorë e lokalë, shton vëmendjen drejt qytetit të Vlorës. Ku ta gjejmë të fillojë sa më shpejt.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *