I penduari i drejtësisë, Erion Alibej, ka zbardhur episode kyçe në GJKKO, duke dhënë detaje rreth aktivitetit kriminal të grupit të tij dhe ngjarjeve të rënda në Elbasan. Ai dëshmoi për një incident pranë zonës “5 Maj”, ku u ndoq nga një makinë me katër persona, mes të cilëve edhe Xhoni Rusta.
“Po kaloja tek ‘5 Maji’ kur pashë që më ndiqte një makinë. Ishin 4 veta,” rrëfeu Alibej. “Mbaja armë në makinë. Më parakaluan dhe kur i kisha paralel, ishte Xhoni Rusta në timon, unë i qëllova makinës.” Ky incident çoi në shpalljen e tij në kërkim.
Alibej tregoi se pas një takimi me Suel Çelën, ai ishte larguar në Angli dhe u kthye përfundimisht në Shqipëri në vitin 2018. Gjatë kohës që ishte në kërkim, ai qëndroi kryesisht në shtëpinë e tij, në Durrës, dhe në një fshat mes Elbasanit dhe Peqinit, tek shtëpia e Aldo dhe Kevi Bahos. Ai përmendi edhe një atentat ndaj Kevi Bahos në qershor 2019.
Dëshmia e tij zbuloi gjithashtu se ai kishte një radio policie, siguruar nga një person i njohur përmes Genc Tafilit. Alibej theksoi se u vetëdorëzua kur i vranë djalin e xhaxhait, Andi Zylyfi.