Pas “ultimatumit” të qartë të Kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës së tij në Bashkinë e Vlorës, të gjithë drejtuesit e drejtorive lokale kanë dorëzuar dorëheqjen pranë Kryebashkiakut Ermal Dredha. Ky veprim vjen si pasojë e kritikave të Ramës ndaj performancës dhe vonesave në zgjidhjen e problematikave të qytetarëve.
Burime nga brenda Bashkisë bëjnë me dije se menjëherë pas largimit të Ramës të enjten, Kryebashkiaku Dredha mblodhi të gjithë drejtuesit dhe kërkoi zyrtarisht dorëheqjen e tyre.
Ngrihen dy grupe pune për analizë dhe reformim
Për të çuar përpara procesin e reformimit dhe analizës së thelluar në nivel vendor, Kryeministri ka ngritur dy grupe pune:
- Grupi i parë, i përbërë nga Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe Pirro Vengu, do të analizojë dhe vlerësojë performancën e drejtuesve rajonalë. Rama ka theksuar se çdo drejtues që nuk ka kryer detyrën siç duhet, duhet të japë dorëheqjen, ndërsa zëvendësuesit do të kalojnë një periudhë prove tre-mujore.
- Grupi i dytë, ku bëjnë pjesë Brisilda Çakerri, Zamira Sinaj dhe Evis Alushi, do të shqyrtojë emrat e mundshëm për drejtuesit e rinj të Bashkisë së Vlorës.
Kryeministri ka vendosur afat deri më 15 korrik për përfundimin e analizës së të gjithë drejtuesve dhe për të patur gati emrat konkretë për zëvendësimet, duke u bazuar edhe në propozimet nga strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë.
Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura në Bashkinë e Vlorës, shumë prej pjesëmarrësve u thirrën personalisht nga vetë Kryeministri. Të pranishëm ishin edhe deputetët e Qarkut, ku Erjona Ismaili dhe Zamira Sinaj ishin veçanërisht kritike ndaj punës së Bashkisë, duke u ankuar për vonesat dhe zvarritjet në zgjidhjen e problematikave të qytetarëve.
Ky reformim në administratën lokale të Vlorës pritet të sjellë një “pastërti” të thellë në radhët drejtuese, pasi Kryeministri ka paralajmëruar qartë se askush nuk do të mbajë postin nëse nuk e justifikon me punë konkrete.
EMRAT e 21 drejtorëve që largohen:
- Zambak Selmanaj – Drejtor i Infrastrukturës dhe Urbanistikës
- Olsi Durrolli – Drejtor i Përgjithshëm i Ekonomisë
- Dorjan Demiri – Drejtor i Përgjithshëm Juridik
- Kozma Mali – Drejtor i Financave
- Emiljano Ismalili – Drejtor i Policisë Bashkiake
- Sokol Kananaj – Drejtor i Tatimeve pranë Bashkisë
- Jovan Jaupaj – Drejtor i Aseteve
- Arlinda Tepelena – Drejtore e Turizmit
- Dorjan Xhelili – Drejtor NSHP
- Francesko Tozaj – Drejtor i Pastrimit
- Endri Rrokaj – Drejtor i Gjelbërimit
- Anila Hitaj – Drejtoreshë e Shtëpisë së Foshnjës
- Irena Stasa – Drejtoreshë e Shërbimeve Sociale pranë Bashkisë
- Elida Grabova – Drejtoreshë e Shtëpisë për Personat me Probleme Mendore
- Lorela Ballaj – Drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijëve me Aftësi të Veçanta
- Ardian Vreshtazi – Drejtor i Emergjencave Civile
- Sokol Toto – Drejtor i Teatrit “Petro Marko”
- Genci Demiraj – Drejtor i Pallatit të Kulturës
- Laura Brinja – Drejtoreshë e Burimeve Njerëzore
- Igli Zahaj – Drejtor i IMT
- Elona Merkaj – Drejtore e Pallatit të Sportit