Një operacion i koduar “Last Threat” i zhvilluar nga Policia e Durrësit ka zbuluar një skemë të frikshme zhvatjeje ku një 49-vjeçare, e identifikuar si A. H., dyshohet se ofronte shërbime seksuale në banesën e saj dhe më pas, në bashkëpunim me një 40-vjeçar, R. L., kërcënonte klientët me thikë për t’u marrë para.
Sipas hetimeve, A. H. i kishte ofruar favore seksuale shtetasit F. Ç. kundrejt pagesës në banesën e saj në Spitallë, Durrës. Më pas, ajo dhe R. L. e kishin kërcënuar atë me një mjet prerës (thikë) dhe i kishin marrë 65,000 lekë të rinj.
Por skema e tyre nuk ndalej me kaq. Hetimet zbuluan se A. H. dyshohet se ushtronte prostitucion në mënyrë të vazhdueshme, dhe më pas R. L. fotografonte klientët në situata intime. Këto foto më pas përdoren për t’i kërcënuar ata dhe për t’u kërkuar shuma të mëdha parash në këmbim të mos publikimit të imazheve komprometuese.
Operacioni i policisë nisi një javë më parë, duke çuar fillimisht në arrestimin e 49-vjeçares A. H. Gjatë ditës së djeshme u vu në pranga edhe bashkëpunëtori i saj, 40-vjeçari R. L.
Surpriza nuk mbaroi këtu. Gjatë momentit të arrestimit të R. L., policia ndaloi në flagrancë edhe një 21-vjeçar, A. H. (me iniciale të njëjta, por person tjetër). Gjatë kontrollit të tij, u gjet një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza gati për shitje.
Policia ka sekuestruar mjetin prerës (thikën) në banesën e 49-vjeçares A. H., i cili dyshohet se është përdorur për kërcënimet.
Aktualisht, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna intensive për identifikimin e klientëve të tjerë që mund të jenë viktimë e kësaj skeme kërcënimi dhe zhvatjeje. Autoritetet po punojnë gjithashtu për të zbardhur plotësisht dhe dokumentuar ligjërisht të gjithë veprimtarinë kriminale të kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. 40-vjeçari R. L. dhe 49-vjeçarja A. H. akuzohen për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prostitucioni”. Ndërsa 21-vjeçari A. H. do të përgjigjet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ky rast tronditës në Durrës tregon format e ndryshme të kriminalitetit dhe rrezikun që mund t’u kanoset qytetarëve.