Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, duke vënë përballë drejtësisë 11 persona me rekorde të shumta kriminale. Të akuzuarit përballen me një sërë akuzash të rënda, kryesisht për vrasje të kryera në bashkëpunim si grup i strukturuar kriminal.
Në listën e të pandehurve kryeson Suel Çela, i cili akuzohet nga prokuroria për tentativën e vrasjes së dy personave: Lulzim Masha dhe Elton Kila.
Një tjetër emër i njohur i botës së krimit, Talo Çela, i shpallur në kërkim pas dekriptimit të aplikacionit SKY ECC, do të gjykohet në mungesë. Ai akuzohet për vrasjen me paramendim të Fatmira Dedajt, ngjarje e ndodhur më 14 shtator 2013 në Durrës, si dhe për një tjetër tentativë vrasjeje.
Në dosjen “Plumbi i Artë” përfshihet edhe i ashtuquajturi “mbreti i lojërave të fatit”, Ervis Martinaj, fati i të cilit mbetet i panjohur që pas zhdukjes së tij tre vjet më parë. Ai akuzohet për “sigurim të kushteve” për të vrarë Indrit Doklen në vitin 2022, ish-kreu i një fraksioni të bandës së Durrësit.
Florenc Çapja, i ekstraduar në fillim të majit, dyshohet se ka tentuar të asgjësojë Sokol Sanxhaktarin në Elbasan, dhëndrin e ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.
Sipas SPAK, të 11 të pandehurit kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal, me role dhe detyra të qarta të ndara në kryerjen e krimeve për të cilat ata dyshohen. Dërgimi i kësaj dosjeje në gjykatë pritet të zbardhë detaje të reja mbi këto ngjarje kriminale dhe të vërë para përgjegjësisë personat e akuzuar.