Tiranë, Shqipëri – Dashamir Shehi ka folur sërish sot në lidhje me dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të koalicionit “Djathtas për Zhvillim”, një veprim që erdhi pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e 11 majit. Shehi theksoi se dorëheqja e tij nuk është fundi i botës, por një shembull demokracie dhe një sinjal për nevojën e ndryshimit në skenën politike shqiptare.

Në prononcimin e tij, Shehi shprehu bindjen se ka ardhur koha t’u hapet rruga të rinjve në politikë. Ai argumentoi se shoqëria ka ndryshuar ndjeshëm dhe se faktori i ri duhet të ketë hapësirë.

“Isha kryetar i koalicionit me Djathtas 1912 dhe dhashë dorëheqjen. Edhe shoqëria ka ndryshuar shumë. Pse dhashë dorëheqjen nuk është fundi i botës. Dhashë një shembull demokracie,” tha Shehi.

Sipas Shehit, një nga problemet kryesore të politikës shqiptare është se njerëzit votojnë vetëm lidershipin politik dhe jo programet e partive. Ai vuri në dukje se Partia Socialiste fitoi pasi nuk kishte një alternativë të fortë, pavarësisht rënies në vota, ndërsa Partia Demokratike humbi shumë më tepër.

“Edhe programet nuk votohen, njerëzit pyesin nëse atë që votojnë a e sjell në pushtet. Njerëzit votojnë vetëm lidershipin politik, jo programet,” theksoi ai.

Lidhur me përpjekjet për koalicion, Shehi zbuloi se kishte negociuar edhe me parti të tjera të vogla, por pa sukses. Ai shtoi se “betejën e humbëm pa hyrë në zgjedhje.” Pavarësisht largimit nga parlamenti për dy herë, Shehi u shpreh se ai mund ta bëjë politikën edhe jashtë tij, duke lënë të kuptohet se nuk do të largohet plotësisht nga jeta publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *