Vlorë, Shqipëri – Rinald Rakipaj, 40-vjeçari i dyshuar për droguar tre vajza adoleshente, do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Vendimi u mor nga gjykata e Vlorës, e cila pranoi kërkesën e prokurorisë bazuar në dyshimet e forta se Rakipaj jo vetëm u ka dhënë kokainë të miturave, por me njërën prej tyre dyshohet se ka kryer edhe marrëdhënie seksuale.
Seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj Rakipajt u zhvillua me dyer të mbyllura. Gjyqtari Bevil Beqiraj aprovoi kërkesën e prokurorisë për “arrest me burg” ndaj 40-vjeçarit, i cili akuzohet zyrtarisht për veprën penale “nxitje për përdorim droge”.
Prova më e rëndësishme në duart e prokurorisë është një video e filmuar nga njëra prej vajzave në ambientet e hotelit. Në pamjet e gjetura në telefonin e të miturës, shfaqet shoqja e saj 15-vjeçare duke thithur kokainë. Në të njëjtën video, 40-vjeçari Rinald Rakipaj shihet duke fjetur gjumë.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 22 marsit në një hotel në zonën e Skelës në Vlorë. Rakipaj, i cili ishte njohur me tre vajzat 15-16 vjeçare vetëm një ditë më parë në Gjykatën e Vlorës, ka kaluar natën duke konsumuar kokainë së bashku me to. Gjatë paraqitjes para gjykatës, 40-vjeçari ka pretenduar se nuk ka qenë në dijeni të moshës së tyre.
Përveç akuzës për nxitje për përdorim droge, mbi Rakipajn rëndon edhe dyshimi për kryerje të marrëdhënieve seksuale me njërën prej vajzave. Megjithatë, kjo akuzë mbetet për t’u provuar ose rrëzuar në varësi të rezultateve të ekspertizës mjekësore që pritet të dalë.
Rinald Rakipaj u arrestua pesë ditë më parë pas denoncimit të bërë nga nëna e 15-vjeçares, e cila kishte shqetësime për shoqërimin e të bijës me 40-vjeçarin prej disa ditësh. Nëna kishte raportuar se e bija ishte larguar nga banesa dhe kishte fikur telefonin. Vajza kishte mashtruar familjen duke thënë se do të kalonte natën me shoqet, një justifikim i përdorur edhe nga dy vajzat e tjera. Pas marrjes së denoncimit, policia e Vlorës nisi hetimet intensive që çuan në arrestimin e Rakipajt.
Gjatë dëshmisë së tyre në polici, të miturat kanë mohuar të kenë kryer marrëdhënie seksuale me Rinald Rakipajn. Ato kanë deklaruar se kanë bërë shëtitje me makinë dhe më pas kanë qëndruar në hotel në zonën e Skelës. Megjithatë, prova e videos dhe dyshimet e forta kanë bindur prokurorinë dhe gjykatën për nevojën e mbajtjes së 40-vjeçarit në burg gjatë kohës së hetimeve të mëtejshme.