Athinë, Greqi – Autoritetet greke kanë bërë publike emrat e tre shtetasve shqiptarë të arrestuar dhe një tjetër në kërkim, pas zbulimit të një laboratori të sofistikuar kokaine në Pikermi të Athinës. Laboratori përdorej për të nxjerrë kokainën nga lëkurët e kafshëve, në një operacion antidrogë të gjerë.
Operacioni, i zhvilluar të enjten në mëngjes nga forcat speciale EKAM, rezultoi në arrestimin e gjithsej 11 personave. Mes tyre ishin 6 shtetas grekë, 3 shqiptarë, 1 kolumbian dhe 1 bolivian, të gjithë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës.
Shqiptarët e arrestuar janë:
- Robert Muçi, 41 vjeç, nga Shushica e Vlorës
- Skënder Kallashi, 50 vjeç, nga Novosela e Vlorës
- Ledvis Hoxha, 27 vjeç, nga Kutallia e Dimalit
Ndërkohë, truri i operacionit dyshohet të jetë një shtetas shqiptar 45-vjeçar, Luis Murataj, i njohur me nofkën “Karteri”. Murataj nuk është kapur dhe besohet se aktualisht ndodhet në Spanjë.
Hetimet kanë zbuluar se grupi kishte importuar legalisht lëkura të thata lopësh nga Bolivia. Këto lëkura ishin zhytur me kripëra për të fshehur kokainën. Më pas, lëkurat ruheshin në një depo në Pikermi, ku ishte ngritur edhe laboratori sekret për nxjerrjen e drogës.
Gjatë operacionit, policia gjeti rreth 100 kilogramë kokainë të përzier me kripëra, të nxjerra nga 200 lëkura. Nga 1,500 lëkurat e mbetura, vlerësohet se mund të nxirreshin deri në 700 kilogramë të tjera kokainë.
Policia greke theksoi kompleksitetin teknik të procesit të ndarjes së drogës, duke e konsideruar grupin si jashtëzakonisht të organizuar dhe të specializuar në procedura kimike. Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me agjenci ndërkombëtare për kapjen e Muratajt dhe zbardhjen e plotë të rrjetit.