Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka analizuar humbjen e thellë të opozitës së drejtuar nga Sali Berisha në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se rënia morale e PD-së nisi pas tragjedisë së Gërdecit.

Në një intervistë për Report Tv, Sula u ndal me tone kritike tek një nga momentet më të diskutueshme të qeverisjes së Berishës, duke e lidhur atë direkt me rezultatin negativ të opozitës në zgjedhjet e fundit.

“Në vitin 2008 në 21 Prill, përsëri kam votuar për shkak të moralitetit tim politik, që pa u tharë floku i 26 viktimave në Gërdec, Berisha firmosi marrëveshjen rrënuese për Shqipërinë,” tha Sula.

Ai kujtoi fitoren e PD-së në vitin 2005, duke e cilësuar si rezultat i një bashkimi të gjerë dhe faktin se Berisha kishte një “kartë të fortë morale” përballë mazhorancës së Fatos Nanos, duke ardhur nga një histori konfliktesh dhe manipulimesh zgjedhore.

“Ne nga sistemi mazhoritar fituam në vitin 2005 sepse u bashkua gjithë Partia Demokratike, u bashkuan të gjithë demokratët. Berisha kaloi përtej vetes së vetë, afroi gjithë kundërshtarët e vetë që ishin përplasur, dërrmuar, copëzuar dhe bashkoi gjithë copëzat e opozitës dhe bëri gjithë atë fitore në vitin 2005,” shpjegoi Sula.

Megjithatë, sipas Sulës, morali i fitores së 2005-ës u zbeh shpejt. Ai theksoi se firmosja e një marrëveshjeje të dëmshme për Shqipërinë vetëm pak kohë pas humbjes së jetës së 26 viktimave të Gërdecit në vitin 2008, shënoi fillimin e rënies morale të Partisë Demokratike dhe sipas tij, është një nga arsyet e humbjes së thellë të opozitës sot.

“Në vitin 2008 në 21 Prill, përsëri kam votuar për shkak të moralitetit tim politik, që pa u tharë floku i 26 viktimave në Gërdec, Berisha firmosi marrëveshjen rrënuese për Shqipërinë, shkak i humbjes sot,” përsëriti Sula.

Deklarata e Dashnor Sulës thekson një kritikë të fortë brenda radhëve të Partisë Demokratike ndaj lidershipit të Sali Berishës dhe vendimeve të tij të së kaluarës, duke i parë ato si faktorë kyç në rezultatin negativ të opozitës në zgjedhjet e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *