Armando Broja, pas kthimit të tij në fushë pas një dëmtimi të gjatë, shprehu kënaqësinë për rikthimin në kombëtare, por nuk e fshehu zhgënjimin për humbjen ndaj Anglisë. Sulmuesi analizoi ndeshjen, duke theksuar se golat e pësuar ishin të shmangshëm dhe se ai vetë kishte mundësi për të shënuar.
“E dinim që do të ishte e vështirë, Anglia është një nivel shumë i lartë,” tha Broja për “SuperSport”. “Ata me Francën, Belgjikën, Holandën e Spanjën, e dimë që kanë shumë cilësi. Por e dimë që kemi ardhur në shtëpinë e tyre, por çdo gjë është e mundur dhe kishim disa mundësi për gol.”
Broja vlerësoi cilësinë e kundërshtarit, por theksoi se ekipi shqiptar kishte mundësi të shmangte golat e pësuar. “Ekipi ishte mirë, kishim mundësi të mos hanim ato gola, se për mendimin tim nuk ishim shumë gola të bukur e rrezikshëm. Njëri ishte pasim pas shpine, pastaj tjetri krosim në shtyllë të dytë e preku mirë sulmuesi. Por këto gjëra mund t’i përmirësojmë e mund të shkojmë një nivel më të lartë,” shtoi ai.
Sulmuesi u ndal edhe te kthimi i tij pas dëmtimit, duke shprehur kënaqësinë për reagimin e trupit të tij. “U ktheva nga një dëmtim i gjatë, ka qenë e vështirë dhe isha fokusuar te kthimi, te trupi, të kem mundësitë më të mëdha e të mos dëmtohem përsëri. Sot më ka pëlqyer se si reagoi trupi e shkoi loja, kisha edhe unë shanse për veten. Edhe një ditë tjetër mund të kisha shfrytëzuar shanset, shënoja e kthenim ndeshjen se patëm dy mundësi në fund. Por janë disa gjëra të vogla që mund të shfrytëzojmë.”
Broja shprehu dashurinë e tij për kombëtaren dhe tifozët, duke theksuar se i kishte munguar shumë kjo përvojë. “Kombëtarja më ka munguar shumë, si e thashë para Europianit më pëlqen shumë të luaj me kombëtaren, më pëlqejnë shumë tifozët që ishin të mrekullueshëm, na dhanë kurajë e ishim shumë të mirë. Jam shumë i kënaqur që u ktheva me ekipin e çunat e shpresoj të rikuperoj tamam, 100%, të vazhdoj pa dëmtime e kënaqem me futboll,” përfundoi Broja.