Komisioni Evropian po planifikon të vendosë tarifa prej 25% mbi një sërë produktesh amerikane si përgjigje ndaj rivendosjes së tarifave për çelikun dhe aluminin nga Presidenti Donald Trump. Sipas një dokumenti të Reuters, tarifat e para pritet të hyjnë në fuqi më 16 maj, ndërsa një valë e dytë do të pasojë më 1 dhjetor 2025.
Produktet e prekura përfshijnë diamante, fill dentar, salcice, arra dhe sojë. Zëvendëspresidenti i Komisionit, Maros Sefcovic, tha se kundërmasat do të kenë një ndikim më të vogël ekonomik nga sa ishte vlerësuar fillimisht.
BE thekson se dëshiron një përgjigje të matur por të qartë, duke mbrojtur interesat evropiane pa përshkallëzuar më tej tensionet tregtare. Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, tha se BE është e gatshme për një marrëveshje, por edhe për kundërmasa dhe diversifikim tregtar. Komisioni po ngre gjithashtu një grup pune për të monitoruar importet dhe për të mbrojtur tregun evropian nga efektet e mundshme të një lufte tregtare me SHBA-në.