Tiranë, Shqipëri – Avokati i njohur, Idajet Beqiri, ka lëshuar akuza të rënda ndaj ish-pushtetarëve të lartë, Sali Berisha dhe Ilir Meta, duke i cilësuar si përgjegjës për sundimin e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri gjatë tre dekadave të fundit. I ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, Beqiri theksoi se veprimtaria e tyre ka qenë e fokusuar në pasurimin personal, duke shkelur interesat e qytetarëve.
“Shqipëria e grabitur dhe e vjedhur”
Beqiri pohoi se ky vend është “sunduar nga krimi dhe korrupsioni” dhe është “i mbërthyer keq prej krimit të organizuar”. Ai shtoi se struktura shtetërore, në vend që t’i shërbenin ligjit dhe qytetarëve, janë kthyer në “organizata që kanë parë vetëm interesat e tyre”. Sipas tij, “ky vend është grabitur, është vjedhur, ky vend është vrarë dhe për rrjedhojë shikojmë sot se më shumë pasuri kanë realisht krimi dhe kriminelët, pushtetarët e lartë që kanë qenë në krye të vendit sa sa ka vetë shtetit.”
Akuzat specifike ndaj Berishës dhe Metës
Avokati theksoi se dyshja politike Berisha-Meta “kanë bërë batërdi të madhe dhe kanë kthyer qeverisjen në funksion të xhepit të tyre dhe njerëzve të afërt, duke shkelmuar interesin publik.” Ai shtoi se “familja Berisha dhe Meta kanë bërë batërdinë në këtë vend dhe e kthyen qeverisjen e vendit për të pasuruar familjet e tyre, njerëzit e tyre.”
Beqiri kritikoi ashpër privatizimet dhe shitjet e aseteve, duke i cilësuar si burim të përfitimeve kriminale. Ai theksoi se afera “Partizani”, për të cilën Sali Berisha është i pandehur, është “vetëm një gjethe e vogël në malin e korrupsionit” që ka kryer ish-kryeministri. “SPAK u mor dhe hetoi vetëm aferën ‘Partizani’, që është aferë, e rëndë është, por është një gjethe në morinë e një pylli të madh me krime korrupsioni që ka bërë Berisha dhe familja e tij,” theksoi ai.
Dosjet e Akuzave dhe Shuma e Përvetësuar
Beqiri zbuloi numrin e dosjeve që, sipas tij, rëndojnë mbi Berishën, Ilir Metën dhe familjarët e tyre. “Vetëm për Ilir Metën kemi kallëzuar 31 afera korruptive. Për Sali Berishën dhe familjen e tij, Argita Berishën, Jamarbër Malltezit, Shkëlzen Berishën, Liri Berishën janë formësuar 51 dosja të ndryshme, që kanë të bëjnë më korrupsion pasiv, pastrim parash, privatizime dhe përfitime në rrugë kriminale.”
Më tej, avokati pretendon se Meta dhe Berisha kanë arritur të përvetësojnë një shumë monetare prej 200 miliardë eurosh. “Janë plot 200 miliardë euro të përvetësuara nga organizata kriminale që ka udhëhequr në këtë vend, Sali Berisha dhe Ilir Meta, 100 miliardë ndodhen, qoftë në para të thatë, qoftë me asete të ndryshme në Shqipëri dhe 100 miliardë të tjera ndodhen jashtë vendit dhe Shqipëria nuk do t’i marrë kurrë pasi nuk i kanë në emrin e tyre, por i kanë vënë në emër të disa kriminelëve që i mbanin rreth vetes,” përfundoi Beqiri.