Athina, Greqi – Pas një kërkimi të gjatë ndërkombëtar, Ardian Ahmetaj, 51 vjeç, i akuzuar si pjesë e grupit të Laert Haxhiut dhe i kërkuar për vrasjen e Besmir Hidës në Lushnjë në vitin 2019, është arrestuar në Pire të Athinës.

Lajmi u bë i ditur nga Policia e Shtetit, e cila njoftoi se arrestimi u realizua falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe homologëve grekë, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.

Ahmetaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Fierit në vitin 2023 kishte caktuar ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg” për akuzat e “Vrasjes me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit”.

Sipas hetimeve, Ahmetaj dyshohet se në vitin 2019, në Lushnjë, në bashkëpunim me Laert Haxhiun dhe Orges Bilbilin, kanë ekzekutuar me armë zjarri shtetasin Besmir Hida. Atentati ndaj Hidës u krye në një lokal ku ai po pinte kafe. Dy persona të maskuar u ngjitën shkallët dhe e qëlluan viktimën nga dy drejtime të ndryshme.

Vrasja e Besmir Hidës dyshohet të jetë pjesë e një serie konfliktesh dhe larje hesapesh mes grupeve rivale famëkeqe të Lushnjës, atyre të Aldo Bares dhe Laert Haxhiut. Besmir Hida ishte daja i Zamir Latifit, i cili u vra në një atentat në vitin 2017. Latifi njihej në Lushnjë si një shok i ngushtë i nipit të Aldo Bares.

Tani pritet që autoritetet greke të ndjekin procedurat ligjore për ekstradimin e Ardian Ahmetajt në Shqipëri, ku do të përballet me akuzat për vrasjen e Besmir Hidës. Ky arrestim shënon një hap të rëndësishëm në zbardhjen e këtij krimi dhe në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *