Lufta e Tretë Botërore The Guardian Përplasje globale Pax Americana Kaos global Institucione ndërkombëtare Rusia Kina Irani Konflikte të globalizuara Gaza

Në një javë reflektimi mbi 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur ish-aleatët kremtuan veçmas fitoren, gazeta britanike “The Guardian” lëshon një paralajmërim të zymtë: bota ndodhet më pranë se kurrë shpërthimit të një konflikti të tretë global.

Një analizë e gjatë dhe e detajuar e publikuar së fundmi nga kjo gazetë e njohur, e pikturon realitetin e sotëm si një rrëshqitje të pandalshme drejt një kaosi botëror. Sipas analizës, rendi i vjetër, i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, ka humbur funksionalitetin e tij. Institucionet ndërkombëtare, të cilat dikur shërbenin si shtylla të stabilitetit global, sot janë të paralizuara, të paafta për të frenuar dhunën e papërmbajtur të aktorëve shtetërorë.

Fundi i “Pax Americana” dhe vakumi gjeopolitik

Analiza e “The Guardian” thekson se epoka e dominimit amerikan, e njohur si “Pax Americana”, po shkon drejt fundit. Ky shpërbërje ka krijuar një vakum të rrezikshëm gjeopolitik, i cili po shfrytëzohet me shpejtësi nga fuqi si Rusia, Kina dhe Irani, si dhe nga aktorë të tjerë me ambicie rajonale. Konfliktet, që dikur ishin të kufizuara në zona specifike, sot janë bërë të ndërlidhura, duke marrë përmasa globale dhe duke u bërë jashtëzakonisht të rrezikshme. Nga Kashmiri në Gaza, nga Port Sudani në Ukrainë, zhurma mbizotëruese janë shpërthimet, duke mbytur zërin e diplomacisë.

Ekspertja britanike për strategji, Fiona Hill, shkon më tej duke pohuar se “Lufta e Tretë Botërore ka nisur tashmë – thjesht ne refuzojmë ta pranojmë këtë realitet të hidhur.”

Institucionet ndërkombëtare në kolaps

“The Guardian” vë në dukje se institucionet ndërkombëtare, të cilat u themeluan me shpresën për të parandaluar konflikte të ardhshme pas vitit 1945, si Kombet e Bashkuara dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, po dëshmojnë papërgjegjshmëri përballë shkeljeve flagrante të ligjit ndërkombëtar. Si shembull, gazeta sjell situatën në Gaza, ku Izraeli ka injoruar urdhrat e detyrueshëm të ICJ-së për lejimin e ndihmës humanitare, duke vijuar bombardimet në Gaza, Jemen, Liban dhe Siri, madje duke kërkuar leje nga Shtetet e Bashkuara për të goditur Iranin.

Ish-sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, e ka cilësuar këtë krizë të diplomacisë globale si një akt vandalizmi të politikës së jashtme, duke paralajmëruar se “bota nuk mund të mbështetet më tek Amerika”.

Një pikë kthese historike u theksua gjithashtu nga ish-ministri i jashtëm britanik, David Miliband, i cili në një fjalim në Chatham House deklaroi se bota ndodhet në një moment kritik, po aq të rëndësishëm sa fundi i Luftës së Ftohtë. “Dihet se bota ndryshon gjithmonë, por ky është një moment i vërtetë krize gjeopolitike. E dimë nga çfarë po largohemi – nga një botë e dominuar nga SHBA – por nuk e dimë ende drejt çfarë po shkojmë,” – u shpreh ai.

Një botë e përfshirë nga flakët e konflikteve

Analiza e “The Guardian” ofron një tablo të zymtë të situatave dramatike në disa zona konflikti anembanë botës:

  • Në Gaza, bllokada humanitare vazhdon, duke sfiduar urdhrat ndërkombëtarë dhe duke shkaktuar një krizë të rëndë humanitare.
  • Në Sudan, forcat e mbështetura nga Emiratet e Bashkuara Arabe po shkatërrojnë infrastrukturën e ndihmës në Port Sudan, duke e thelluar edhe më tej tragjedinë humanitare.
  • Në Kashmir, India dhe Pakistani, dy shtete me armë bërthamore, po shkëmbejnë raketa dhe avionë luftarakë, pa asnjë ndërmjetësim efektiv nga Shtetet e Bashkuara.

Ukraina: nyja e krizës globale

Sipas Fiona Hill, Ukraina përfaqëson pikën kulmore ku përplasen të gjitha forcat që po ridimensionojnë sistemin global. Me një numër të frikshëm prej 900 mijë viktimash ruse të raportuara, lufta ka marrë përmasa tronditëse. Kina, Koreja e Veriut dhe Irani po ofrojnë mbështetje të konsiderueshme për Rusinë, ndërsa shumë vende të tjera po mbajnë gjallë ekonominë e saj.

“The Guardian” vëren se Donald Trump e ka parë gjithmonë botën si një lojë mes fuqive të mëdha dhe ka kërkuar një lloj marrëveshjeje të re si Konferenca e Jaltës e vitit 1945, ku Ukraina mund të sakrifikohet në emër të krijimit të një rendi të ri botëror.

Europa zgjohet në mungesë të lidershipit amerikan

Përballë një Shteteve të Bashkuara të pavendosur dhe gjithnjë e më të izoluara, Europa po e kupton se nuk mund të mbështetet më verbërisht tek Uashingtoni për sigurinë e saj. Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, në një fjalim për Ditën e Fitores (VE Day), theksoi se “fundi i rendit të vjetër nuk vjen vetëm nga lufta e Rusisë, por edhe nga braktisja e vlerave perëndimore nga vetë SHBA-ja. Kjo është një kthesë epokale e dyfishtë.”

Si rezultat i kësaj, po bëhen plane konkrete për ndërtimin e një force evropiane që do të jetë e aftë të reagojë në mënyrë të pavarur ndaj kërcënimeve ruse dhe sfidave të tjera globale. Franca dhe Britania po marrin një rol udhëheqës në këtë drejtim, me mbështetjen e Gjermanisë dhe Polonisë.

Një botë pa busull, një rend pa rregulla

Përfundimi i analizës së “The Guardian” është i qartë dhe shqetësues: nuk ekziston më një rend botëror i besueshëm dhe mungesa e lidershipit amerikan e ka përshpejtuar këtë proces të zbërthimit. Ndërsa konfliktet përhapen me shpejtësi, bota ndodhet në kërkim të një ekuilibri të ri, por askush nuk ka një vizion të qartë për të ardhmen.

Europa po shtrin dorën drejt bashkëpunimit dhe pavarësisë strategjike, ndërsa Amerika, sipas “The Guardian”, ndodhet në një udhëkryq kritik – midis të kaluarës së saj si fuqi udhëheqëse globale dhe një të ardhmeje të pasigurt si një spektatore e mundshme e ndryshimeve rrënjësore në arenën ndërkombëtare. Pyetja e madhe mbetet nëse bota do të jetë në gjendje të shmangë greminën e Luftës së Tretë Botërore në këtë periudhë të trazuar dhe plot sfida.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *