Sara Mila, deputetja e re e qarkut të Elbasanit, i është përgjigjur akuzave të kryedemokratit Sali Berisha se votat e saj në 11 maj “i mori me ndihmën e bandave”. Mila theksoi se përgjigjen do t’ia japë Berishës në shtator, kur të hyjë në Parlament dhe të përballet sy më sy me të.
Ajo shprehu mirënjohje për 20,225 votat e grumbulluara në zgjedhjet parlamentare, duke shtuar se “antireklama” e bërë nga Partia Demokratike (PD), përmes akuzave të vazhdueshme, ndikoi edhe më shumë në rritjen e mbështetjes ndaj saj.
“Mezi po pres shtatorin, sepse është shumë e vështirë kjo hedhja e fjalëve nga larg që opozita bën për mua nga Parlamenti, kur unë nuk jam ende pjesë e Parlamentit, kështu që unë mezi pres shtatorin se do të jemi sy më sy dhe ballë për ballë për të gjitha ato që thonë dhe për të gjitha përgjigjet që pret elektorati im,” deklaroi Mila në një intervistë për “Shqipëria Live”.
Deputetja theksoi vështirësinë e të qenit nën baltën e hedhur mbi figurën dhe familjen e saj, por theksoi se numërimi i votave i solli një lloj çlirimi dhe mirënjohjeje të thellë. Ajo shtoi se një pjesë e mirë e demokratëve të Elbasanit i besuan kandidaturës së saj, duke e parë si një figurë të re. “Non grata-s do t’i përgjigjem në shtator, ata e kanë ndarë mendjen të merren me mua gjatë, unë aty do të jem, do të jetë më e këndshme kur replika të jetë sy më sy,” përfundoi Mila.