Screenshot

Arben Ahmetaj, ish-zyrtar i lartë, ka hedhur akuza të rënda ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar arrestimin e Erion Veliajt nga SPAK si një “teatër të orkestruar”. Në një intervistë për gazetarin Vincent W. J. van Gerven Oei, Ahmetaj ka pretenduar se arrestimi i Veliajt është një manovër e Ramës për të futur frikë brenda Partisë Socialiste dhe për të treguar një “flamur” të reformës në drejtësi për komunitetin ndërkombëtar.

Ahmetaj ka theksuar se Veliaj nuk po hetohet për çështjet kryesore, siç janë inceneratori dhe dosja “5D”, të cilat, sipas tij, do të çonin hetimin drejtpërdrejt tek Edi Rama. Ai ka argumentuar se arrestimi i Veliajt është një mënyrë për të shmangur hetimin e Ramës dhe për të mbajtur partinë nën kontroll.

“Kjo është e gjitha një teatër i Ramës. Para së gjithash, dua të them se për mua është mesjetare që e kanë çuar Erionin në burg. Ata mund ta hetonin në gjendje të lirë, por jo duke qëndruar kryetar bashkie. Nuk mund të qëndrosh në detyrë ndërsa je duke u hetuar dhe akuzuar. Në të njëjtën kohë, nuk pajtohem me qëndrimin e Erionit për të sulmuar prokurorët dhe familjet e tyre,” ka deklaruar Ahmetaj.

Ai ka shtuar se arsyeja e vërtetë e arrestimit të Veliajt nuk ka lidhje me çështjet kryesore të korrupsionit, por është një taktikë e Ramës për të treguar “reformën në drejtësi” dhe për të mbajtur partinë nën frikë.

“Fatkeqësisht, Partia Socialiste ka ndaluar së shkruari programe. Praktikisht, ajo që po them është se çështja e Erionit është një teatër i Ramës për të futur më shumë frikë brenda partisë. Sepse partia duhet të qëndrojë nën frikë dhe trysni, ndërsa ai tund flamurin e Reformës në Drejtësi për burokratët evropianë. Është e gjitha një teatër, edhe rasti i Erionit, i orkestruar strategjikisht me shumë kujdes nga Rama,” ka përfunduar Ahmetaj.

Këto akuza të rënda nga Ahmetaj pritet të ndikojnë në klimën politike në Shqipëri dhe të rrisin tensionin mes tij dhe Kryeministrit Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *