Tiranë – Agron Shehaj, kryetar i Partisë Mundësia dhe deputet në Tiranë, ka reaguar mbi vendimin për rinumërimin e votave në qarkun e Tiranës, duke deklaruar se “çdo gjë është e mundur, sidomos në Shqipëri”. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Shehaj shprehu mbështetjen e tij për rinumërimin, duke theksuar se posedojnë filmimet e numërimit, gjë që sipas tij, minimizon mundësinë e manipulimeve.
Shehaj shpjegoi se votat nuk janë numëruar nga partia e tij, por nga numërues të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, çka e bën situatën “lëmsh” me votat e kandidatëve. Ai pret “çudira” në këtë proces, ndërsa theksoi se vëmendja për numërimin e votave të partive politike ka qenë shumë e madhe.
Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, Shehaj e konsideroi atë inkurajues, veçanërisht duke e krahasuar me pritshmëritë e të tjerëve se votat për Partinë Mundësia do të shkonin dëm. Megjithatë, ai shtoi se pritshmëritë e tyre synonin krijimin e një grupi parlamentar. Shehaj theksoi se partia e tij ka marrë më shumë vota në zonat urbane (Vlorë, Durrës, Fier) dhe më pak në zonat rurale, duke e lidhur këtë me vizionin e tyre më të ndërlikuar, i cili ndoshta nuk ka arritur të depërtojë plotësisht në këto zona.