Adriana Kalaja, zyrtare e lartë e Partisë Demokratike, ka reaguar ashpër ndaj lajmeve se ajo ishte larguar nga kjo forcë politike pas rezultatit të dobët të 11 majit. Në një postim ku shfaqej në poligon me pistoletë, Kalaja deklaroi se nuk është dorëhequr dhe se informacionet janë të pavërteta, duke i atribuuar ato mediave që “i shërbejnë pushtetit”.
“Unë nuk largohem dhe nuk i kthej ‘kurrizin’ askujt,” shkruajti ajo, duke theksuar se kauzat i çon deri në fund. Kalaja shtoi se do të vijojë të kontribuojë për vendin, duke theksuar se për të politika është “moral i vlerave”, nuk bën kompromis me të vërtetën dhe se korrupsioni e krimi nuk kanë ngjyrë. Ajo paralajmëroi se denoncimet do t’i bëjë të ditura drejtpërdrejt Senatit dhe Kongresit amerikan, si dhe Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri.
Kalaja përmendi gjithashtu se degët e PD-së së Tiranës e kanë shpallur “non-grata” prej tre vitesh. Ky reagim vjen pas një postimi të saj një ditë më parë, ku paralajmëronte se do t’i rikthehej kontributit në PD vetëm kur Sali Berisha të riorganizonte partinë bazuar në merita dhe kontribute, jo në miqësi.