Kastriot Ismailaj, i dënuar si i vetmi në skandalin CEZ-DIA, ku tashmë është marrë i pandehur edhe ish-Presidenti Ilir Meta, po vazhdon betejën e tij ligjore. Edhe pse ka përfunduar dënimin dhe është liruar nga qelia, Ismailaj ka apeluar çështjen e tij në Gjykatën Kushtetuese, pas refuzimit të rekursit nga Gjykata e Lartë një vit më parë.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shqyrtojë çështjen në seancë plenare, e cila do të mbahet mbi bazë dokumentesh më 19 qershor. Ismailaj ishte dënuar me 11 vite burg për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash, dhe i janë konfiskuar rreth 4.5 milionë euro.
Arrestimi i tij në maj 2015 erdhi pas akuzave të Prokurorisë së Tiranës se ai përfitoi 6.5 milionë dollarë nga kontrata e CEZ-DIA për një shërbim të pakryer. Ndërkohë, në një çështje tjetër, SPAK e konsideron Kastriot Ismailajn si “njeriun e Metës” në këtë aferë.
Dosja e SPAK e nis historinë e aferës CEZ-DIA me krijimin e kompanisë së Ismailajt, “Debt Internacional Advisory”, në offshore në “Virgin Island” më 5 korrik 2010, dhe degën në Shqipëri më 4 gusht të po atij viti. Vetëm një muaj më pas, më 1 shtator, u firmos një marrëveshje me bordin e CEZ, duke ngritur dyshime se krijimi i kompanisë kishte si qëllim pikërisht këtë marrëveshje.
SPAK thekson se gjatë kësaj periudhe, Ilir Meta dhe Kastriot Ismailaj kanë komunikuar plot 115 herë brenda 5 muajve, përmes telefonatave dhe mesazheve. Më tej, Meta e merrte Ismailajn me vete në mbledhjet e CEZ në Pragë dhe i mundësoi pjesëmarrjen në mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës të CEZ-DIA dhe OSHE, megjithëse ligjërisht nuk i takonte. Sipas SPAK, objektivi i Ilir Metës ishte përfitimi i 10 milionë eurove nga afera CEZ-DIA, dhe për këtë ai do të shfrytëzonte Kastriot Ismailajn, i cili tashmë pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese.