Santiago Malko vrasje Leonard Duka Muhamet Duka GJKKO Dëshmi gjyqësore Ervis Martinaj Grup kriminal Konflikt Akuzë

Tiranë – Ka nisur në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) seanca gjyqësore për vrasjen e Santiago Malkos, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019, për të cilën akuzohet Leonard Duka.

Në GJKKO ka dëshmuar Muhamet Duka, babai i Leonardit, i cili ka deklaruar se ai dhe djemtë e tij nuk kanë pasur asnjë konflikt personal me Santiago Malkon. Po ashtu, ai theksoi se djemtë e tij, Leonard dhe Erlis Duka, nuk kanë pasur asnjë konflikt me Ervis Martinajn, personazh i njohur i botës së krimit. “Nuk kam pasur konflikt personal me Santiago Malkon. Leonard dhe Erlis Duka nuk kanë pasur konflikt me Santiago Malkon. Ervis Martinajn nuk e njoh. Me këtë shtetas djemtë e mi në dijeninë time s’kanë pasur asnjë konflikt,” tha Duka.


Deklarata për Personat e Tjerë të Përfshirë

Muhamet Duka foli edhe për të pandehurit e tjerë të çështjes dhe njohjet e tij me ta. Ai konfirmoi se Aleksandër Maxhaku është nipi i tij nga motra, por shtoi se ka rreth 6 vjet pa e takuar dhe nuk e di se ku ndodhet aktualisht. Për Dritan Agajn, ai tha se është një njeri i njohur për familjen, pasi “një mbesa jonë e ka për burrë atë. E kemi tonin deri diku.” Duka shtoi se e kishte parë Dritanin me djemtë e tij, duke i cilësuar si shokë.

Ndërsa për Oltion Logën, dëshmitari deklaroi se e njihte si fytyrë në lagje dhe e thërrisnin “Olt”. Megjithatë, ai nuk dinte me cilin nga djemtë e tij shoqërohej më shumë. Për Fatmir Doçajn dhe Ilir Selmanin, Muhamet Duka tha se i kishte dëgjuar emrat në televizor ose media, por nuk i njihte personalisht. Po ashtu, nuk njihte as Blendi Tetën.

Duka theksoi se ai vetë ishte marrë me tregti, duke pasur një lokal të tijin, por tani është në pension. Ai u shpreh se djemtë e tij kishin bizneset e veta, duke u marrë me lojërat e fatit, por ai nuk përzihej në punët e tyre, pasi “ata ishin të rritur”. Ai shtoi se Leonardi kishte jetuar me vëllanë, të ndarë nga prindërit dhe me qira, ndërsa ai vetë banonte në zonën e “Freskut”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *