Një deklaratë e papritur nga kreu i partisë Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka shkaktuar reagime brenda aleancës së “Opozitës së Re”. Lapaj shprehu hapur mundësinë e një “shkrirjeje” të subjekteve politike në një të vetme, duke deklaruar: “Para zgjedhjeve ka pasur një qasje që mund të ndodhë edhe një kohezion, një shkrirje në një. Ngelet për t’u diskutuar, unë jam i hapur për të gjitha variantet.”
Kjo deklaratë nuk duket të jetë mirëpritur nga të gjithë aleatët. Endri Shabani, kryetari i Nisma Thurje, në një intervistë për A2, pohoi se kjo çështje nuk është diskutuar ende. Madje, Shabani shkoi më tej duke sugjeruar se Adriatik Lapaj është i lirë të rikthehet te Nisma Thurje, partia ku ai e ka nisur aktivitetin e tij politik. “Nisma Thurje ka qenë një organizatë e shoqërisë civile, që e kemi nisur bashkë me zotin Lapaj dhe aktorë të tjerë. Në 2021 ne u themeluam si parti dhe synojmë që të vijojmë si parti politike. Por, padyshim Adriatiku është i lirë në çdo kohë që të rikthehet te Nisma Thurje sepse në fund të fundit kjo është shtëpia e vet,” deklaroi Shabani.
Me përfundimin e zgjedhjeve të 11 majit, Shabani mendon se, në vend të shkrirjes, duhet të negociohet për vijimin e bashkëpunimit si koalicion për zgjedhjet e ardhshme. “Koalicioni është ndërtuar për të qenë afatgjatë, por marrëveshja ka qenë deri në 11 maj dhe jemi duke u përpjekur që ta vazhdojmë bashkëpunimin mes Nismës Thurje, Shqipëria Bëhet dhe aktorëve të tjerë për zgjedhjet e ardhshme,” theksoi ai.
Një çështje tjetër e pazgjidhur mbetet ndarja e mandatit të Tiranës mes kandidatëve të Nisma Shqipëria Bëhet. Për Shabanin, kjo mund të zgjidhet vetëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Ai shpjegoi: “Është një proces që duhet parë nga KQZ, ne kemi pasur një angazhim që të gjithë ata që kanë qenë në listë të mbyllur do duhet të dorëzojnë dorëheqjet. Gjë që është bërë ditën e zgjedhjeve, janë depozituar në KQZ dhe i mbetet KQZ që të bëjë verifikimin e dokumentacionit e pastaj të kalojë te lista e hapur.”
Sa i takon procesit të rinumërimit të votave në Tiranë, i cili tashmë ka përfunduar, kreu i Nisma Thurje nënvizoi se ata kurrë nuk kanë pasur pretendime se votat mund të vidheshin në kuti, dhe rinumërimi e konfirmoi këtë.